Ndryshimet e TVSh-së varfërojnë edhe më shumë qytetarët në Kosovë (Foto/Video)

Autori:Avdyl Pajaziti

Tatimi mbi Vlerën e Shtuar është ulur tek 13 produkte në Kosovë por është ngritur tek mbi 100 mijë produkte të tjera, raporton lajmi.net.

Ky Ligj që cakton dy norma, atë standarde e TVSh-së 18%, dhe ajo e reduktuar e TVSh-së 8%, vlerësohet se kanë dëmtuar të gjitha kategoritë e qytetarëve.

Shoqëria civile dhe përfaqësuesit e bizneseve thonë se është dashtë të mendohet më mirë me këto ndryshime dhe japin ide se çfarë duhet bërë.

Berat Thaçi nga Instituti GAP thotë për lajmi.net se efekti total në shportën e konsumatorit do të jetë rreth 2% ngritje e çmimeve.

Ai thotë se është përgjysmuar TVSH-ja në disa produkte, por është një numër i madh i produkteve që është rritur TVSH-ja, e që kanë ndikim shumë të madh në shportën e konsumatorit.

 “Efekti total i këtyre ndryshimeve, besojmë se në shportën  konsumatorit do të sjellë inflacion, do të rriten çmimet, do të bëhet më e shtrenjtë kostoja e jetës së qytetarit”, thotë Thaçi.

“Besojmë se është dashtë të balancohet nevoja e të hyrave buxhetore, mos t’i lihet barra vetëm konsumatorëve, por të rritet tatimi në të hyrat e korporatave apo tatimi në fitim, gjë që nuk ka ndodhur”, thotë ai.

Ndërsa, Agim Shahini, kryetar i AKB-së thotë se ka import të lëndës së parë që i nënshtrohen rritjes që TVSH-së dhe se prodhuesit vendor nga sot punojnë me humbje.

“Prodhuesit vendor kanë kërkuar nga Administrata e Shtetit të shikohen mirë këto ndryshime, ata kanë thënë se duhet të formohen Komisionet e që ende nuk janë bërë, ndërsa bizneset sot janë duke paguar p.sh, 18% një vaj i parafinuar ushqimore, kurse kur del në shitje del më 8% paramendo me çfarë humbje punon ai. Mendojmë që ky ndryshim duhet të kontrollohet, për arsye se vlerësojmë se ndryshimi duhet të jetë prioritet për të ngritur kapacitetet prodhuese e jo t’i ndëshkojë ato”, thotë ai për lajmi.net.

Madje Shahini bënë të ditur se sistemi teknologjikë tek arkat fiskale ka ndryshuar brenda natës dhe mbi 95% tashmë po e aplikojnë këtë normë tarifore, por sipas tij, bizneseve kjo u ka kushtuar rreth një milionë euro.

Ai mendon se këto ndryshime teknologjike tek arkat fiskale është dashtë të subvencionohen nga Qeveria.

“Bizneseve që kanë dashtë të ndërhyjnë në teknologji dhe arka fiskale, ky ndryshim u ka kushtuar rreth një milion euro, sepse secilit i është dashtë të paguajë nga 30 euro. Është dashtë që kjo ë subvencionohet nga Qeveria e jo të bëjë ndryshime në kurriz të bizneseve”, thotë Shahini.

Nga këto ndryshime janë liruar drithi, mielli dhe produktet e këtyre, çka përfshin bukën dhe prodhimet e ngjashme me të, pastaj vaji për gatim, qumështi, vezët dhe kripa.

Si dhe shërbimet publike si furnizimi me ujë (por jo të ambalazhuar), energjia elektrike dhe ngrohja qendrore.

Por, janë ngritur çmimet për mishrat, produktet higjienike, pijet, teknika e bardhë, pajisjet shtëpiake e gjithë të tjera./lajmi.net

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ndryshimet-e-tvsh-se-varferojne-edhe-me-shume-qytetaret-ne-kosove-fotovideo/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala