Ndryshimet e TVSH-së, dëmtojnë bizneset

Autori:Avdyl Pajaziti

Ndryshimi i Ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar nga 16 për qind në 8 për qind për produktet bazike dhe rritje të TVSH-së nga 16 për qind në 18 për qind për produktet tjera, që fillon të zbatohet nga 1 shtatori, obligon bizneset që të bëjnë ndryshimet teknike në pajisjet fiskale.

Administrata Tatimore e Kosovës ka kërkuar nga bizneset, që të bëjnë rregullimet e nevojshme në programet e tyre dhe të vendosin normat e reja, në pajisjet elektronike fiskale.

E për këtë ndryshim, bizneset duhet të paguajnë një shumë të mjeteve materiale te kompanitë e licencuara të arkave fiskale.

Përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe vetë pronarë të disa bizneseve ankohen për këtë obligim, përderisa përfaqësues të kompanive të arkave fiskale theksojnë se pagesa për këtë shërbim është minimale.

Blerim Miftari, është pronar i një lokali shërbyes në qendër të kryeqytetit. Ai është i mllefosur me vendimet që po merr ministria, siç thotë, në dëm të bizneseve. Obligimet shtesë financiare që nevojiten për këtë shërbim, sipas tij, është dashur t’i përfundojë ministria dhe jo bizneset.

Edhe kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se Ministria e Financave kur ka bërë ndryshimin e Ligjit për TVSH-në nuk ka menduar për problemet dhe mjetet shtesë që duhet paguar bizneset.

Institucionet e Kosovës nuk e kanë menduar se si do të tejkalohet kjo sfidë, thotë ai, por më shumë janë marrë me atë se sa do të përfitojnë nga ky ndryshim.

Ndryshe, zyrtarë të Shoqatës së Operatorëve të Licencuar për Pajisje Elektronike Fiskale, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tregojnë se çmimi për ndryshimin teknik të Tatimit mbi Vlerën e shtuar kushton rreth 29 euro.

Ndryshe, shumë biznese e kanë neglizhuar procesin e pajisjeve me arka fiskale. Mbi 130 mijë kompani, sa llogariten të jenë të regjistruara në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës, deri më tani janë fiskalizuar mbi 27 mijë biznese..(REL)

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ndryshimet-e-tvsh-se-demtojne-bizneset/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala