Ndryshe prej Kurtit, BE-ja e sheh si vazhdim dhe jo si fillim të ri dialogun

Autori:Gazeta Fjala

Bashkimi Evropian i sheh takimet e ardhshme në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si vazhdim i dialogut, e jo si ndonjë fillim i ri i tij. Në pritje të takimit të Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti me Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq, në Bruksel, diku nga mesi i muajit qershor, zyrtarët e BE-së kanë thënë se “ky dialog ka nisur në vitin 2011 dhe do të vazhdojë me takimin e ri, në nivelin e lartë që do të zhvillohet së shpejti”.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se i sheh takimet e ardhshme në kuadër të dialogut si një nisje e re, e jo si vazhdim i dialogut të deritashëm. Në BE, po ashtu kanë përsëritur thirrjet që të zbatohen marrëveshjet e arritura deri me tash në dialog.

“Rruga drejt BE-së për Kosovën dhe Serbinë, shkon përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky dialog ka nisur në vitin 2011 dhe vazhdon me takimin e nivelit të lartë së shpejti. Në kuadër të procesit që është në vazhdim e sipër, janë ndërruar qeveritë në të dyja anët, por përkushtimi ka mbetur. Të gjitha çështjet e diskutuara deri me tash dhe që do të diskutohen në të ardhmen në kuadër të dialogut, janë kyçe për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë zëdhënësi i BE-së për çështje të jashtme, Peter Stano.

Ai ka shtuar se “Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare, presin nga të dyja palët që të vazhdojnë përkushtimin e tyre për angazhim në këtë dialog dhe të zbatojnë marrëveshjet e mëparshme”.Reklamë

“BE-ja dhe shtetet anëtare të saj, presin nga autoritetet e reja në Prishtinë që të angazhohen në mënyrë konstruktive, me qëllim të vazhdimit të takimeve në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe të shfrytëzojnë rastin që ta sjellin këtë proces deri te një përmbyllje e suksesshme”, ka thënë ky zëdhënës i BE-së.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ndryshe-prej-kurtit-be-ja-e-sheh-si-vazhdim-dhe-jo-si-fillim-te-ri-dialogun/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala