Ndezja e gomave është e ndaluar

Të gjithë ataa që do të zihen duke djegur goma për 1 maj, do të dënohen. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, paralajmëron ndëshkime për të gjithë ata që ndezin goma, një dukuri kjo mjaft e shprehur në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve – 1 Maj.
Në një njoftim të kësaj ministrie thuhet se Ligji për mbrojtjen e ajrit ndalon rreptësisht djegien e gomave dhe dënohet çdo person që kryen një veprim të tillë.
Kjo pasi që, siç vlerësohet, ndezja e gomave në mjedis të hapur liron dyoksinën dhe materie tjera të rrezikshme.
“Dyoksina dhe oksidet e tjera që lirohen nga djegia e gomave dhe materieve tjera shkaktojnë probleme serioze shëndetësore, si dëmtimin e organeve të frymëmarrjes, kancerin e mushkërive, dëmton lëkurën duke shkaktuar edhe shumë probleme të tjera shëndetësore. Ndezja e zjarreve të tilla, bart me vete pasoja të mëdha për mjedisin. Vazhdimi i një praktike të tillë, është e pakuptimtë dhe e dëmshme për Republikën e Kosovës dhe imazhin e saj”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, sipas njoftimit, janë shpeshtuar rastet kur nga pakujdesia, nga këto zjarre kanë pësuar fëmijë, ose janë djegur sipërfaqe të tëra me pyje.
“Ndezja e zjarreve pa kontroll ka vënë në rrezik jetën dhe shëndetin e njeriut, pasurinë private dhe shoqërore, si dhe ka degraduar mjedisin tonë edhe ashtu në gjendje jo të mirë. Ministria e Mjedisit bënë me dije se janë angazhuar inspektorët e saj, si dhe Policia e Kosovës dhe tërheq vërejtjen se kushdo që zihet, ose dëshmohet se ka ndezur zjarre do të dënohet”.