Ndërtimtarët ja zënë derën Shpend Ahmetit  

Autori:Zekirja Shabani

Kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetit ja kanë zënë derën të enjten ndërtimtarët.

Të prirë nga kreu i Odës Ekonomike, Safet Gërxhaliu, ata kanë kërkuar që t’u sqarohet deri kur ata nuk do të mund të ndërtojnë në Prishtinë.

Ata vlerësojnë se Komuna e Prishtinës edhe më tutje vazhdon procedurat burokratike dhe për pasojë po bllokon procesin e ndërtimit.

“Pasojat janë të shumta, qoftë në sektorin e ndërtimtarisë qoftë tek materiali ndërtimorë dhe të gjithë ndërtimtarët e pranishëm e shprehën mllefin e tyre për burokracinë e krijuar në Komunën e Prishtinës”, u shpreh kryetari i OEK-ut, Safet Gërxhaliu.

Sipas tij, duhet të avancoj bashkëpunimi dhe partneriteti publiko privat. Ai madje ka deklaruar se është koha kur duhet të avancohet forma e trajtimit të ndërtimtarëve në komunën e Prishtinës sepse ndërtimtarët nuk janë kriminel.

“Nuk janë ata që vërtetë e kriminalizojnë ekonominë kosovare por kërkojnë vetëm partneritet të mirëfilltë publiko-privat”.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka bërë të ditur se me përfaqësuesit e shoqatës së ndërtimtarëve kanë diskutuar për problemet me të cilat ballafaqohen ata gjatë punës që kanë në Komunën e Prishtinës.

“I kanë ngritur të gjitha çështjet në nivel të përgjithshëm. Pra, nuk kemi diskutuar për raste individuale. Kemi folur për problematikën, për çështje që këta i kanë si grup interesi dhe ne i kemi paraqitur argumentet tona. Kemi diskutuar për procedurat e marrjes së lejeve, cilat janë procedurat aktuale dhe si mund të thjeshtohen ato”, ka thënë Ahmeti.

Ndërkaq, Faton Hoxha nga firma Toning, ka demantuar përfaqësuesit e komunës lidhur me numrin e lejeve të lëshuara dhe kërkesat për ndërtim.

Derisa në medie zyrtarët e komunës deklarojnë vazhdimisht se deri më tani janë vetëm 86 leje të lëshuara dhe kërkesat janë më të vogla se një vit më parë, sipas Hoxhës situata është krejt ndryshe.

Ai ka thënë se vetëm nga muaji qershor deri në fund ë dhjetorit të vitit 2014 prej mbi 2000 kërkesave që i janë drejtuar zyrës së urbanizmit. Sipas tij janë 334 kërkesa për leje ndërtimi të të gjitha llojeve. E nga të gjitha këto, vetëm 56 kërkesa kanë marrë përgjigje.

47 kërkesa janë të institucioneve që kanë marrë përgjigje vetëm 16.

“I bie se nga 287 kërkesat për leje ndërtimi nga qytetarët janë aprovuar vetëm 40 leje ndërtimi. 74 kërkesa për leje ndërtimi vetëm 28  kanë marrë përgjigje, 3 janë refuzuar, ndërsa 25 gjithsejtë janë aprovuar”, ka thënë Hoxha.

Përfaqësuesit e shoqatës së ndërtimtarëve vlerësojnë se bllokimi i procesit të ndërtimit është diçka që nuk i bënë nderë as Kosovës e as Prishtinës.

“Këta njerëz janë taksapagues të mëdhenj dhe mu ky sektor është ai që paguan më së shumti në Komunën e Prishtinës”.

Ndërtimtarët kanë marrë premtime nga i pari i Prishtinës se do të avancoj partneritetin megjithatë ata janë skeptik për përmirësim të situatës, pasi thonë se një premtim të ngjashëm e kanë marrë edhe në mars të vitit të kaluar. Që nga ajo kohë nuk ka lëvizur asgjë.

Në kërkesën e ndërtimtarëve drejtuar kryetarit Ahmeti thuhet se drejtori i urbanizmit në këtë komunë, Liburn Aliu, ka shkelur ligjin për planifikim hapësinor kur ka pezulluar dhënien e lejeve në lagjen Arbëria 3, në maj të vitit të kaluar dhe ende nuk i ka përfunduar ndryshimet.

Ndërkaq, i pari i Prishtinës ka dhënë premtime që do të lirohet për ndërtim deri në fund të muajit shkurt lagja Arbëria.

Sipas ndërtimtarëve vendimi për rrënim i objektit investiv rezidencial në lagjen Mat 1 ku investitor është “Pozhegu Brothers” dhe pezullimi i punëve ndërtimore të posafilluara në laagjen Kalabria për ndërtimin e kompleksit banesor “Ekolog”, i cili ka leje ndërtimi janë dy vendime që po i bëjnë ta pa sigurta investimet në fushën e ndërtimit.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ndertimtaret-ja-zene-deren-shpend-ahmetit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala