Ndërtimi i Spitalit Amerikan si n’bahçe t’babës

Autori:Avdyl Pajaziti

Pritet që së shpejti të fillojë punën me shërbimet mjekësore, por Spitali Amerikan për fillimin e kryerjeve të shërbimeve të tija nuk ka marrë asnjë leje as nga komuna e Prishtinës, e as nga Ministria e Shëndetësisë.

Ky spital është ndërtuar afër Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Ndërtimi i Spitalit Amerikan në atë zonë bie ndesh me kontratën e miratuar nga Kuvendi Komunal i Prishtinës i cili në vitin 2005 kishte dhënë lejen për ndërtimin e një spitali kardiokirurgjik në Kosovë.

Poashtu me ndërtimin e këtij spitali është shkelur edhe ligji për shëndetësi i cili ndalon ndërtimin e spitaleve të përgjithshme private në afërsi të spitaleve publike deri në 1.5 km.

Ministria e Shëndetësisë thekson se nuk ka marrë ndonjë vendim për ndërtimin e ndonjë spitali afër Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

“MSh nuk ka marrë ndonjë vendim për ndonjë spital privat afër QKUK-së. MSh lëshon licenca pune për spitale apo institucione të tjera shëndetësore, kur ato i përmbushin kushtet siç e parasheh ligji”, ka thënë për Indeksonline Faik Hoti, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë.

Ai bëri të ditur se lidhur me ndërtimin e Spitalit Amerikan në atë zonë ekziston vetëm një vendim i Qeverive të kaluara.

“Për atë institucion, ka vetëm një vendim të mëhershëm nga njëra prej Qeverive të kaluara, për të cilin opinion ka qenë i njoftuar qysh para disa vitesh”, ka shtuar ai.

Në ndërkohë Komuna e Prishtinës shprehet se nuk ka kompetenca për licencimin e institucioneve shëndetësore sekondare. Ajo thotë së për këtë çështje duhet të merret Ministria e Shëndetësisë.

“Komuna e Prishtinës nuk mund te vazhdoje kontratën kur kushtet e kësaj kontrate kane ndryshuar dhe ne si Komune nuk kemi kompetenca për licencimin e institucioneve shëndetësore sekondare pasi qe kjo është kompetence direkte e Ministrisë te Shëndetësisë”, ka thënë për Indeksonline, Miranda Mullafazliu, zëdhënëse në Komunën e Prishtinës.

Lidhur me ndërtimin e Spitalit Amerikan në atë zonë ka reaguar edhe Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ka reaguar publikisht, duke thënë se hapja e spitalit privat afër institucioneve publike shëndetësore, e dëmton sistemin publik shëndetësor, si dhe pacientët.

“Ne e kemi ngritur si çështje që ai spital nuk duhet të hapet. Nuk kemi asgjë kundër Spitalit Amerikan, por nëse fillojnë të hapen spitalet private brenda institucioneve publike shëndetësore, atëherë nuk do të kemi sistem publik shëndetësor. Është e qartë që qytetarët do të dëmtohen dhe rrjedhimisht ai spital edhe do ta varfëronte këtë popull edhe ashtu të varfër”, ka thënë Blerim Syla, kryetari i FSSH-së.

E ndërkohë janë një varg kriteresh të cilat duhet përmbushur Spitali Amerikan në mënyrë që ta ketë lejën e veprimtarisë së tij. Por ky i fundit nuk ka marrë as mundin që të kërkojë leje tek organet kompetente.

Mirëpo zyrtari për media i Spitalit Amerikan, Redian Mjeshtri, ka thënë për Indeksonline se tashmë ky spital ka përfunduar të gjitha punët dhe se spitali Amerikan pritet që të fillojë me punën e tij së shpejti.
“Po kanë përfunduar gjitha punët, nuk e dimë saktë se kur do të hapet. Por shpresojmë që së shpejti të fillojmë me shërbime”, ka thënë Mjeshtri.

E për ndërtimin e Spitalit Amerikan në atë zonë ky i fundit ka blerë “shërbimin” nga biznesmeni Ekrem Lluka, pasi që Qendra Kardiake e Kosovës në të cilën do të vendoset Spitali Amerikan ka qenë pronë e tij.

Në vitin 2007 kirurgu nga gjermania Fatmir Dalladaku kërkoi leje nga qeverisja e atëhershme e Komunës së Prishtinës për ndërtimin e një Klinike Kardiologjike afër objektit të QKUK-së. Qeverisja e atëhershme e kuvendit komunal në krye me LDK-në ia dha lejen Dardallakut për ndërtimin e kësaj qendre.

Mirëpo qeverisja e 2007-ës në me nënshkrimin e kryeministrit Agim Çeku pezulloi përkohësisht vendimin e komunës për vazhdimin e punimeve në kësaj klinike.

Mirëpo pas largimit të qeverisjes Çeku gjërat ndryshuan. Dalladaku vazhdoi me ndërtimin e objektit deri në largimin e tij. Sipas burimeve të Indeksonline pas largimit të Dalladakut nga projekti, punën përkohësisht e vazhdoi Spitali Ndërkombëtar në Kosovë (IMH), i cili është spital turk që ofron shërbime kardiologjie dhe shërbime kardiokirurgjie, por sipas po të njejatve burime as IMH nuk mundi ta realizoj planin e ndërtimit të këtij spitali. Mirëpo pak metra larg Qendrës Klinike Universitare të Kosovës shumë shpejt do të fillojë punën Spitali Amerikan./Indeksonline

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ndertimi-i-spitalit-amerikan-si-nbahce-tbabes/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala