Ndërmarrjeve të privatizuara nuk i janë falur borxhet

Autori:Gazeta Fjala

Hyrja në fuqi e ligjit për faljen e borxheve ka krijuar paqartësi të tek institucionet publike. Përfaqësues të kompanive publike, si Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), Ujësjellësi, Termokosi dhe të tjera, kishin dilema se a parashihet me ligj shlyerja e borxheve të ndërmarrjeve shoqërore të privatizuara dhe në ato që janë në proces të privatizimit.

Ishte,Kapllan Parduzi, menaxher i Departamentit për Konsumatorë nga kompania regjionale “Prishtina”, që kishte ngritur si shqetësim në komisionin për verifikimin e borxheve të formuar nga Ministria e Financave, çështjen se a iu shlyhen borxhet ndërmarrjeve shoqërore të privatizuara, transmeton ksp.

“Dua të ceku se problem në vete na paraqesin edhe ndërmarrjet të cilat janë privatizuar dhe ai borxh i akumuluar i atyre viteve nuk e merr përsipër asnjë institucion. Kurse te ne figuron si borxh. Kemi një listë prej 25 ndërmarrjeve të mëdha që ne i kemi proceduar edhe janë në proces e sipër në gjykatë, që i kemi paditur që është një shumë relativisht e madhe. Mirëpo në pa mundësi tash të veprojmë edhe gjykata po hezitojnë sepse ligji i parandalon që të zhvillojnë aktivitetet e mëtutjeshme mbi bazën e ligjit i cili është për shlyerjen e borxheve “, tha Parduzi.

Parduzi në këtë takim të mbajtur në fillim të javës,nuk ka marr përgjigje nga komisioni. Pasi këta të fundit do t’i njoftojnë me shkrim të gjithë përfaqësuesit e ndërmarrjeve publike.

Zyrtari për informim i Ministrisë së Financave, Muharrem Shahini, tha se është shumë e qartë që borxhet që ndërmarrjet shoqërore i kanë ndërmarrjeve publike nuk falen.

Blerim Grainca, anëtar i komisionit për Zhvillim Ekonomik që njëherësh janë mbikëqyrës të Agjencionit Kosovar të Privatizimit, tha se ligji është shumë i qartë dhe se ndërmarrjet shoqërore nuk iu nënshtrohen faljes së borxheve.

“Unë mund të iu konfirmoj që borxhet e ndërmarrjeve shoqërore që janë privatizuar dhe që janë nën administrim të AKP-së dhe që presin për të dal në privatizim nuk i nënshtrohen këtij ligji. Çka do të thotë borxhet e atyre kompanive nuk iu falen. Borxhet që kanë ato kompani ndaj ndërmarrjeve publike duhet t’i shlyejnë, duhet t’i paguajnë. Sepse nuk iu falen.”, tha Grainca.

Veton Hajdini, zyrtarë për informim në AKP, në përgjigjen përmes postës elektronike tha se ligji për faljen e borxheve nuk i obligon Ndërmarrjet Shoqërore të falin borxhet që palët e treta që i kanë ndaj Ndërmarrjeve Shoqërore. Hajdini nuk ka treguar se sa është vlera e borxheve të krijuara nga viti 2008 e deri më tash.

Shifrën e borxheve që kanë ndërmarrjet shoqërore ndaj ndërmarrjeve publike nuk ka dashur ta japë as ushtruesi i detyrës së drejtorit menaxhues të AKP-së, Avni Jashari. Ai përmes telefonit tha se e di shumën e borxhit por pa marrë përgjigje me shkrim nga Ministria e Financave se falen apo jo borxhet nuk mund ta tregoi.

Shifra e borxheve që ndërmarrjet shoqërore të privatizuar dhe ato në proces thuhet se janë vlera shumë të larta. Ligji për faljen e borxheve ka hyrë në fuqi më 2 shtator të këtij viti. Nga ky ligji përfitojnë, qytetarët dhe bizneset të cilët që nga viti 2008 e deri më 31 dhjetor 2014 i kanë pasur ndërmarrjeve publike, KEK, Termokos, Ujësjellësit dhe të tjera.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ndermarrjeve-te-privatizuara-nuk-i-jane-falur-borxhet/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala