Ndërmarrjet në Kosovë fitojnë 342,484 euro

Autori:Avdyl Pajaziti

Disa ndërmarrje që veprojnë në sektorë të ndryshëm, si në prodhimin e ëmbëlsirave, pijeve, tekstilit, stolive, dhe produkteve higjienike – kanë fituar gjithsej 342,484 € nga grantet e Zyrës së BE-së dhe MTI-së, në mënyrë që të rritet aftësia e tyre e prodhimit dhe të futen linja të reja të mallrave në Kosovë dhe tregje të huaja.

Zyra e BE-së/PPBE dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) kanë organizuar një vizitë te shtatë ndërmarrjet e shpërblyera në kuadër të programit “Mbështetje për ndërmarrjet Mikro, të Vogla dhe të Mesme në Kosovë” (NMVM) më 13 dhe 15 tetor 2015.

Vizitat te ndërmarrjet që ndodhen në komunën e Prishtinës, Graçanicës dhe Gjilanit janë organizuar me qëllim të monitorimit të implementimit në vazhdimësi të granteve të dhëna dhe me qëllim të promovimit të ndikimit fillestar të këtij programi në fuqizimin e konkurrencës së NMVM-ve vendore.

Rezultatet e para të skemës së granteve u treguan nëpërmjet rritjes së dukshme në nivelet e shitjeve në vend dhe rritjes së numrit të konsiderueshëm të kontratave të reja të realizuara me blerës në Shqipëri, Kroaci, Maqedoni, Mali të Zi, Serbi, Slloveni dhe Suedi, si dhe ndikimit pozitiv në gjenerata e punësimit në bashkësitë lokale.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, në fjalën e saj gjatë vizitës tha se grantet e ndara kanë pasur për qëllim përkrahjen e zhvillimit të sektorit privat dhe shihet që bizneset kanë filluar t’i ndjejnë efektet e menjëhershme.

Ne do të vazhdojmë të ndihmojmë prodhuesit vendor edhe përmes certifikimit të produkteve me standarde të cilësisë, gjë të cilën do ta bëjmë në bashkëpunim me Komisionin Evropian përmes fondeve të IPA 2016.

Duke folur në këtë vizitë, Shefi i Sektorit për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, Christof Stock, tha se përmes këtyre masave, projekti ka për qëllim të ndihmojë bizneset në ndërmarrjen e hapave konkretë në përmirësimin e aftësisë konkurruese të tyre, stimulimin e inovacionit dhe rritjen e punësimit në kuadër të ndërmarrjeve.

Programi i Granteve për NMVM-të, i cili implementohet nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim, kontribuon në forcimin e ekonomisë lokale dhe reduktimin e deficitit tregtar në Kosovë duke përmirësuar kapacitetet e NMVM-ve, në mënyrë që të begatohet prodhimi në një mënyrë efikase dhe të qëndrueshme në përputhje me standardet njohura ndërkombëtarisht. Në kuadër të programit

në vlerë 4 milionë eurosh, janë shpërblyer gjithsej 36 ndërmarrje (21 ndërmarrje mikro dhe 15 ndërmarrje të vogla dhe të mesme) si rezultat i një procesi konkurrues, në të cilin 786 propozim-projekte ishin dorëzuar fillimisht.

Monitorimi dhe promovimi i të gjitha ndërmarrjeve të shpërblyera do të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm, deri në prezantimin e ndikimit të përgjithshëm të programit të Granteve për NMVM-të që pritet në mes të vitit 2016. /lajmi.net/

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ndermarrjet-ne-kosove-fitojne-342484-euro/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala