Ndahen grantet për biznese të vogla në kryeqytet

Komuna e Prishtinës ka bërë ndarjen e granteve të projektit, “Mbështetje stabilitetit socio-ekonomik përmes fuqizimit të mikrobiznesit në Kosovë”, projekt ky i përbashkët i Komunës së Prishtinës dhe organizatës gjermane “HELP”, si zbatuese e donacionit të Qeverisë gjermane.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka thënë se ky është një projekt i përbashkët për ndarjen e granteve bizneseve të vogla, për të motivuar zhvillimin, rritjen e punësimit, posaçërisht në biznese të vogla e të mesme.
Ai ka shpjeguar se participimi i komunës në këtë projekt është 20%, duke potencuar se edhe me shuma të vogla mund të bëhet një dallim.
“Tani më janë përzgjedhur 80 përfitues të këtyre ndihmave të cilat do të ndahen sot formalisht”, ka thënë Ahmeti.
Ndërsa, përfaqësuesja e organizatës “HELP”, Shqipe Breznica, shpjegoi se si ky projekt ka filluar prej majit të këtij viti dhe implementohet në gjashtë komuna si: Prishtinë, Mitrovicë, Ferizaj, Graçanicë, Mitrovicë e Veriut, dhe Leposaviq, ndërsa vitin e ardhshëm do të shtohen edhe Vushtrria, Gjilani dhe Prizreni.
“Në kuadër të implementimit të programit në Prishtinë kemi filluar me seanca informuese në shumë lagje dhe fshatra të Prishtinës dhe janë pranuar gjithsej 227 aplikacione, kurse faza e dytë ka qenë vizita nëpër shtëpi dhe hapësirat ku operojnë bizneset”, ka thënë ajo.