Ndahen 5.7 milionë euro për stadiumin e qytetit të Prishtinës

Autori:Avdyl Pajaziti

5.7 milionë euro është shuma që është ndarë për renovimin dhe kompletimin e stadiumit të qytetit të Prishtinës, transmeton Koha.net.

Kjo u bë publike sot në takimin ndërmjet ministrit për Rini, Kulturë dhe Sport, Kujtim Shala dhe zyrtarëve të FC Prishtina, nënkryetarit e bordit, Afrim Muçiqi dhe drejtorit gjeneral, Sokol Krasniqi.

75 për qind e kësaj shumë do të jepet nga Qeveria, kurse 25 për qind e saj nga Komuna e Prishtinës, ka njoftuar klubi i Prishtinës përmes faqes zyrtare.

“Sot në takim me zyrtarët e FC Prishtina, i informova me ecurinë e procedurave të tenderimit në investimin që do të bëjmë së bashku me komunën e Prishtinës në stadiumin e qytetit. Sot do të hapim ofertat dhe ftova përfaqësuesit e klubit të jenë të pranishëm. Ky do të jetë investimi më i rëndësishëm i sportit nga Qeveria prej 5.7 milion eurosh. Sipas projektit ideor, do të jetë një objekt modern dhe i përshtatshëm. Punimet e këtij ndërtimi do të mbikëqyrim së bashku me ne Ministrinë gjegjëse, edhe Komuna e Prishtinës, FC Prishtina dhe Federata e futbollit të Kosovës”, ka thënë Shala.

Kurse Muçiqi ka thënë se fusha ndihmëse është jetike për klubin e Prishtinës.

“I tërë klubi dhe adhuruesit jo vetëm të Prishtinës, u janë falënderues ministrit Shala për punën e shkëlqyer për, ndoshta, investimin më të madh që do të bëhet në sport, e sidomos e falënderoj për transparencën e madhe. Kjo duke ndryshe, sepse prej të kaluarës, projektet janë bërë vetëm në letër pa u punuar asgjë në praktikë. Por, ndër disa kërkesa që patën në takim, ajo që duhet potencuar, është fusha ndihmëse që për ne, dhe jo vetëm, është jetike”, është shprehur Muçiqi.

Koha Ditore ka siguruar listën prej 13 tenderuesve që kanë konkurruar për këtë projekt.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/ndahen-5-7-milione-euro-per-stadiumin-e-qytetit-te-prishtines/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala