Naftëtarët para gjyqit

Autori:Avdyl Pajaziti

Të gjithë pronarët e pikave të shitjesë së karburanteve me pakicë që u mbyllën ditë më parë nga inspektorët e Ministrisë së Tregtisë do të dalin para drejtësisë.  Lëndët e tyre tashmë janë proceduar në gjykatë.
Gazeta Fjala mëson se në mesin e tyre janë edhe biznesmen të njohur që merren me tregti të karburanteve, madje edhe anëtar të Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës.
Në Ministrinë e Tregtisë thonë se këta rrezikojnë t’u merret edhe licenca për punë, pasi sipas Ligjit për derivate të naftës, neni 4, një subjekt afarist mund të mbyllet përkohësisht deri në marrjen e licencës.
Ndërkaq, naftëtarëve që ende po punojnë në të zezë u ka hyrë friga pas këtij aksioni dhe pas formimit komisionit të veçantë nga MTI për evidentimin e të gjitha pikave të shitjes me pakicë të karburanteve. Kështu edhe është rritur numri atyre që dojnë të pajisen me licenca.
“Komisioni ende është në procedurë të evidentimit të të gjitha pikave të shitjes dhe se numri i saktë i tyre pritet javën e ardhshme. Në dy javët e fundit ka pasur një rritje të konsiderueshme të aplikimeve për licencë”, thonë në përgjigjen e MTI-së për Gazetaan Fjala. Sipas tyre aksioni është duke vazhduar dhe do të ketë kontrolle të vazhdueshme të naftëtarëve. 
Edhe vet ministrja e Tregtisë e Industrisë Hikmete Bajrami, ka paralajmëruar naftëtarët se nuk do të mund të punojn pa kurrfarr rregullash sikur deri tani.
Gjatë raportimit në një nga komisionet parlamentare Bajrami ka bërë të ditur se 34 për qind e pikave të shitjes së derivateve janë pa licence.
“Deri më tani janë evidentuar 275 pika të shitjes së dizelit, benzinës dhe gazit të lëngëzuar të naftës. Prej tyre, 52 pika (19%) janë jashtë funksionit. Prej 2015 pikave të shitjes, 66% janë me licencë valide, ndërsa 34% nuk kanë licencë për shitje me pakicë të dizelit dhe benzinës”, ka deklaruar Bajrami.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/naftetaret-para-gjyqit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala