MZHE-ja konfirmon seks-skandalin e Ramadan Sejdiut në Japoni

Autori:Avdyl Pajaziti

Ministria e Zhvillimit Ekonomikë ka konfirmuar se zyrtari i saj Ramadan Sejdiu është prangosur nga Policia e Japonisë.

Gazeta “Zëri” ditë më parë ka raportuar se ai është arrestuar për ngacmim seksual, derisa ishte në udhëtim zyrtar në Japoni.

Ndërkaq, zyrtarët e MZHE-së nuk kanë dashur të flasin për arsyeje e ndalesës, ndërsa kanë thënë se Ambasada e Kosovës në Japoni, respektivisht MPJ ka marrë të gjitha veprimet e nevojshme lidhur me rastin konform përgjegjësive të saj institucionale.

“Ministria e Zhvillimit Ekonomik është njoftuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Japoni përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme se zyrtarit Ramadan Sejdiu i është shqiptuar masa e paraburgimit”, ka thënë për Zërin, zëdhënësi i MZHE-së, Naim Zeqiri, duke shtuar se me të marrë këtë informacion zyrtar, MZHE konform legjislacionit në fuqi ka ndërmarrë masat ligjore ndaj zyrtarit në fjalë duke i shqiptuar masën e suspendimit deri në vendimin përfundimtar të gjykatës.

Burime të gazetës “Zëri” kanë treguar se Sejdiu nga data 10 gusht 2015 deri më datën 04 shtator 2015 kishte shkuar në Kitakjushu në ujdhesën Kjushu të Japonisë, ku është mbajtur një trajnim lidhur me trajtimin e ujërave të zeza.

I njëjti është dashur që në mbrëmjen e 04 shtatorit 2015 të kthehet me grupin.

Ramadan Sejdiu në MZHE ka mbajtur pozitën e drejtorit në Njësinë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/mzhe-ja-konfirmon-seks-skandalin-e-ramadan-sejdiut-ne-japoni/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala