Mustafa:Serbia nuk fiton asgjë nga izolimi i Kosovës

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa, duke folur për kundërfushatën që po e bën Serbia ndaj anëtarësimit të Kosovës në UNESCO ka thënë se Kosova e meriton anëtarësimin në këtë institucion të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Kreu i Qeverisë gjithashtu ka thënë se Serbia nuk përfiton asgjë nëse Kosova mbetet e izoluar.
Këto deklarata ai i ka dhënë në një konferencë për media.
“Kosova është zotuar duke dhënë garancinë ndërkombëtare për Kishën Ortodokse Serbe. As Serbia dhe askush nuk fiton nëse Kosova mbetet e izoluar. Nuk i ndihmon paqes në Ballkan, nëse Kosova mbetet jashtë organizmave ndërkombëtare me obligime ndërkombëtare. Nuk përfiton as Serbia nëse Kosova nuk ka qasje në programet e edukimit apo në programet e mbrojtjes së ambienteve, të cilat janë ekspertizë në Kosovë”, është shprehur Mustafa, shkruan Zëri.
I pari i ekzekutivit më tej ka thënë se gjatë procesit të anëtarësimit pret përkrahjen nga shtetet që e kanë njohur Kosovën, si dhe nga disa shtete që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë.
“Ne presim përkrahjen nga shumë vende sikurse ato që e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, po ashtu edhe nga vendet e tjera”, ka shtuar Mustafa.
Kurse zëvendëskryeministri dhe ministri i Kulturës, Rinisë e Sportit, Kujtim Shala, ka thënë se Kosova mbron dhe ruan trashëgiminë e saj, andaj nuk ka arsye që të mbetet e izoluar.