Mustafa: Zhvillim ekonomik përmes fuqizimit të sektorit privat

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryeministri Isa Mustafa, mori pjesë në takimin e organizuar me prodhuesit kosovarë, me rastin e inaugurimit të Klubit të Prodhuesve të Kosovës.

Para prodhuesve, përfaqësuesve të institucioneve dhe ekspertëve të ekonomisë, ai tha se tash është koha për të punuar, për të pasur besim dhe për t’i realizuar synimet për zhvillim ekonomik.

Duke theksuar se Kosova ka prodhues dhe biznese të shkëlqyeshme, të cilat mund të jenë konkurruese në vend, në regjion dhe në tregun evropian, kreu i qeverisw kosovare  tha se Kosova ka edhe njerëz punëtorë të cilët mund t’i japin drejtim të mirë këtij vendi duke bërë thirrje për pozitivizëm.

“Ne duhet një ditë të kthehemi dhe të flasim pozitivisht për vetveten, mos të mallkojmë këtë shtet dhe këtë vend sepse e kemi bërë këtë shtet që ta zhvillojmë, e kemi bërë këtë shtet që t’i besojmë, dhe i kemi qytetarët të cilët e kanë përgjegjësinë e tyre që të japin besimin, por edhe të kërkojnë përgjegjësi ndaj atyre që drejtojnë këtë vend. Themelimi i këtij klubi të prodhuesve është një akt simbolik edhe i tetë vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës, sepse mendoj se është mënyra më e mirë që ne ta shënojmë përvjetorin e pavarësisë së vendit tonë, përmes fuqizimit të sektorit privat të prodhimit dhe përmes fuqizimit të ekonomisë sonë”, tha kryeministri.

Më tej, ai tha se Qeveria deri tani ka punuar dhe ka bërë reforma ta caktuara të cilat kanë pasur qëllim që të lehtësojnë punën e bizneseve, të nxisin sektorin privat, veçmas sektorin e prodhimit, por po ashtu ka theksuar gatishmërinë që të punohet edhe më shumë bashkërisht që të bëhen të gjitha ndryshimet e nevojshme që ambienti të jetë sa më i mirë dhe më i përshtatshëm për bizneset.

Ndërkaq, Visar Kelmendi, nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës tha se ky Klub ka sot 9 firma me 15 mijë punëtorë, 23 fabrika, dhe diku mbi 50 brende.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/mustafa-zhvillim-ekonomik-permes-fuqizimit-te-sektorit-privat/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala