Mustafa: Ultimatumet nuk janë zgjidhje demokratike

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka akuzuar edhe njëherë dy partitë në kampin e opozitës, Lëvizjen Vetëvendosje dhe Nisman për, siç thotë ai, mosgatishmërinë për të diskutuar për çështjen që ata i kanë ngritur.

Mustafa ndërkohë, ka lavdëruar gatishmërinë e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, për të marr pjesë në dialogun e iniciuar nga presidentja Atifete Jahjaga.

Deklarata e plotë e Mustafës:

Dialogu, në fjalorin e shqipes së sotme shpjegohet si bashkëbisedim; rrahje e një çështjeje nga dy a më shumë veta duke biseduar drejtpërdrejt.

Shtrohet pyetja, pse duhet të ftohen qytetarët të protestojnë në Kryeqytetin tonë, pse duhet të hedhet gaz lotsjellës në Parlamentin e Kosovës e sprej helmues nga përfaqësuesit e zgjedhur të popullit; pse duhet të digjen ndërtesat e Qeverisë e të hedhen shishe të ndezura me benzinë në policët e Kosovës, e mos të bashkëbisedohet për temat, të cilat shfrytëzohen si pretekst apo kauzë për këto veprime.

Në qoftë se, vërtet partitë opozitare e kanë sikletin te dy marrëveshjet, atëherë duhet të bashkëbisedojnë për to. Mungesa e vullnetit për të bashkëbiseduar nuk u jep të drejtë të ushtrojnë veprime të dhunshme.

Ishte një gjest i mirë i liderit të AAK-së, i cili iu përgjigj ftesës së Presidentes për të marrë pjesë në një tryezë të përbashkët, pozitë- opozitë. E vlerësoj këtë pjekuri politike për vendin, nga një luftëtar, pa marrë parasysh se çfarë kanë qenë qëndrimet e z. Haradinaj, çfarë ka prezantuar dhe çfarë nuk ka prezantuar. Fundja, ishte bashkëbisedim.

Si Kryeministër i vendit kam bërë ftesë serioze që të bashkëbisedojmë por, po ashtu, kam shprehur gatishmërinë që në këtë cilësi, por edhe në cilësinë e kryetarit të LDK-së të bisedojmë drejtpërdrejtë, para së gjithash në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Bashkëbisedimi është kulturë e jona familjare e shoqërore, sepse ashtu gjejmë zgjidhjet dhe i argumentojmë ato. Ultimatumet nuk janë zgjidhje demokratike. Ultimatume japin vetëm ata që përcaktohen për forcë e dhunë. Pasqyrat e pasojave nga sjelljet e tilla sot i shohim në kryelajmet botërore. Kosova ka nevojë për kryelajm, por ky kryelajm duhet të ishte sinergjia jonë për ta ndërtuar këtë vend. Jo, konflikti dhe përçarja! IM

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/mustafa-ultimatumet-nuk-jane-zgjidhje-demokratike/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala