Mustafa sot në Slloveni

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, sot do të jetë në një vizitë zyrtare në Slloveni, ku do të takohet me homologun e tij slloven, Miro Cerar, presidentin e Republikës së Sllovenisë, Borut Pahor, kryetarin e Asamblesë Kombëtare, Milan Brglez dhe kryetarin e Lubjanës, Zoran Jankoviq.
Në delegacion me kryeministrin Mustafa janë edhe ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ndërkaq gjatë vizitës do të nënshkruhet një marrëveshje e bashkëpunimit policor, ndërmjet dy ministrive.
Pjesë e kësaj vizite janë edhe udhëheqësit e odave ekonomike të Kosovës, të cilët do të realizojnë agjendë të veçantë.
Gjatë qëndrimit në Lubjanë, kryeministri Isa Mustafa po ashtu do të takohet edhe me bashkatdhetarët në Slloveni.