Mustafa “selam” liderëve për demarkacion: Përdorni argumente, jo fyerje

Autori:Gazeta Fjala

Kohët e fundit, është debatuar shumë mbi çështjen e demarkacionit, aq shumë sa as tensionet mes liderëve qeveritar nuk kanë qenë të vogla.

Kryetari i Komisionit të Zhvillimit Ekonomik, Muhamet Mustafa, në kohën kur jemi në prag të debatit për demarkacionin që do të zhvillohet me 3 gusht, porosit palët që do të debatojnë që të mos tregohen të ashpër në debat, shkruan Gazeta Fjala.

Mustafa thotë se argumenti duhet të marr një vendim të përgjithshëm.

“Tani kur jemi në prag të debatit, filimisht me ekspertë (me 3 gusht 2016) dhe pastaj edhe në Kuvend, të gjitha palët duhet të heqin dorë nga diskursi i ashper politik e diskualifikues e të përqendrohen në argumente në mënyrë që deputet të marrin një vendim të përgjegjshëm. Para disa ditësh Grupi Parlamentar i LDK organizoi një debat të ngjashëm me ekpertë dhe përfaqësues të Komisionit shtetëror për shenjimin e kufirit. Nga ai debat po edhe nga shumë të tjerë, kryesisht në TV, po shihet se mospajtimet kryesisht lidhen me kriteret dhe bazën ligjore që duhet marrë për bazë”, ka shkruar në Facebook, Mustafa.

Mustafa njëkohësisht thotë se edhe ligji për investime strategjike, duhet të aprovohet më shpejtë në mënyrë që të rriten të hyrat.

Gjeni të plotë postimin e Mustafës:

Gati një vit po perballemi me një debat konfrontues me primesa të luftes politike e partiake që herë herë merr edhe primesa të dhunës lidhur me procesin e shenjimit të kufirit me Malin e Zi. Një diskurs i tillë ngushton deri në pakuptim hapësirën për një debat konstruktiv, të informuar , inkluziv dhe të përqendruar në interesat e shtetndërtimit të Kosovës, proces ky që ka avansuar por nuk është rrumbullkasuar ende , process ky që po përballet edhe me sfida sidmos në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.

Tani kur jemi në prag të debatit, filimisht me ekspertë (me 3 gusht 2016) dhe pastaj edhe në Kuvend, të gjitha palët duhet të heqin dorë nga diskursi i ashper politik e diskualifikues e të përqendrohen në argumente në mënyrë që deputet të marrin një vendim të përgjegjshëm. Para disa ditësh Grupi Parlamentar i LDK organizoi një debat të ngjashëm me ekpertë dhe përfaqësues të Komisionit shtetëror për shenjimin e kufirit. Nga ai debat po edhe nga shumë të tjerë, kryesisht në TV, po shihet se mospajtimet kryesisht lidhen me kriteret dhe bazën ligjore që duhet marrë për bazë.

Sipas kritikuesve të Marrëveshjes së demarkacionit problemi qëndron me kriteret dhe se para shenjimit duhet të përcaktohen kriteret e njohur sipas të drejtës ndërkombëtare duke i rradhitur ata ( relief, efektiviteti, aspekti histoprik, ekonomik e tj). Në bazë të këtyre kritereve sipas vlerësimeve të tyre, duke përdorur edhe ca harta ata nxjerrin përfundime të ndryshme mbi një territor të humbur duke e shndërruarur këtë edhe në një ‘argument” për diskualifikime politike e të tjera.

Përfaqësuesit e Komisionit shtetëror dhe ekspertë të tjerë theksojnë se baza ligjore për shënimin e kufirimt me Malin e Zi qëndron në kriteret për shenjimin e kufirit midis entiteve të ish Federates jugosllave që janë përkufizuar me Planin e Badinterit dhe më vonë me Planin e Ahtisarit dhe rrjedhimisht në Dekleratën e Pavrësisë dhe Kushtetuten e Republikës së Kosovës.

Andaj, sipas tyre, kufiri i Republikës së Kosovës është ai që ka qenë me 31.12. 1988. Atë botë është sanksionuar kufiri administartiv sipas Kushtetutës së vitit 1974 e cila territorin e e saj e ka përkufizuar si territor të komunave të saj. Kjo rregullativ është e bartur edhe në Kushtetutën ekzistuese të Republikës së Kosovës. Rrjedhimisht ata argumentojnë se sikurse tek entitetet e tjera të ish Federatës Jugosllave edhe në rastin e Kosovës dhe Malit të Zi kriteri i kadastrit është një kriter bazik dhe i pashmangshëm .

Për këtë u prezentuan argumente konsistente lidhur me procesin e demarkimit ne entitet tjera të ish federatës. Në bazë të kësaj baze ligjore dhe të dhënave kadastrale e dokumenteve statistikore ata argumentojnë logjikshëm dhe në mënyrë konsistente se Kosova dhe Komunat kufitare me Malin e zi ( Peja, Deçani, Istogu) nuk humbin territor dhe se territori i tyre bazuar në këto kritere dhe të dhënat kadastarlae dhe statistikore mbetet i njejtë me atë të dates kritike, 31.12. 1988 të përcaktuar në Kushteten e Republikës së Kosovës. Kjo bazë ligjore , kjo konsistencë ishte verifikuar edhe nga Komisioni me ekspertë të huaj që e formoi Presidentja Jahjaga muaj më parë.

Bazuar në këtë sfond duket se kriteri kadastral si bazë e shenjimit të kufirit është i determinuar me bazën ligjore dhe kontekstin specifik të formimit të shteteve të reja që ishin pjesë e ish Jugosllavisë dhe gjithashtu edhe me dokumentet që e formësojnë bazën e pavarësisë së Kosovës dhe njohjen ndërkombëtare të saj. Ndaj debati lidhur me aspektin historik si kriter nuk me duket se është produktiv dhe i dobishëm në situatën e dhënë dhe konekstin e shtetndërtimit të Kosovës. Ajo që duhet parë është se si është zabtuar kriteri kadastral. Në debatin e përmendur në GP të LDK u tha se nuk ka pasë tokë të askujt ( “terra nulis”) që do të thotë se të dhënat kadastrale midis Deçanit, Pejes dhe Istogut me ato të Komunave të Plavës dhe Rozhajes do të duhej të përputheshin dhe se kjo do të duhej të ishte vija kufitare dhe pastaj mbetet vetëm matja dhe shenjimi korrekt. Besoj se këtu duhet përqendruar diskutimi dhe nëse dikush ka dokumente dhe prova që e konteston korrektësinë e kadastrit dhe matjes duhet ti perzentojë dhe të ndihmojë në përmbylljen e kësaj çështjeje.

Krijimi i situates eksplozive politike duke përdorë kritere jashtë kontkstit të shtetndërtimit të Kosovës , nxitja e emocioneve dhe ( keq)perdorimi I tyre politik e zhvendos situaten tonë të forcimit të shtetësisë, zhvillimit ekonomik dhe zhvillimeve demokratike në një lufte primitive politike, të dëmshme për forcmiin e pozitës sonë në integrimet Europiane dhe Veriatlantike. Në vend të kësaj në duhet të provohemi si shtet me përgjegjësi dhe duhet të bëjmë gjithçka që situata politike të stabilizohet dhe të hapen perspektivat e zhvillimit ekonomik . Sa më shpejtë duhet të marrim të gjithë masat duke përfshirë edhe apovimin e Ligjit mbi Investimet strategjike në mënyrë që të rritet vëllimi I aktivitetit investues në mbi 30% të GDP dhe të zbatojmë me konskuencë shtetin ligjor për të shpejtësuar ritmin e rritjes ekonomike dhe gjenerimin e më shumë vende të reja të punës.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/mustafa-selam-lidereve-perdorni-argumente-jo-fyerje/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala