Mustafa premton përkrahje për biznesin

Autori:Zekirja Shabani

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, vizitoi të shtunën Panairin e Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2015”, i cili po mbahet në Qendrën e Panaireve, në Prishtinë.

I pari i ekzekutivit në vend  ka thënë se situata është më e mirë se që prezantohet jashtë dhe se bizneset e pranishme këtu nuk janë pesimiste sa i përket të bërit biznes.

“Natyrisht se kanë kërkesa që të ju ndihmojmë edhe më tepër sa i përket politikave fiskale dhe politikave zhvillimore, në mënyrë që ata ta kenë më lehtë, por të gjithë janë perfeksionuar në fushën e tyre, produktet i kanë shumë të mira, i kanë konkurruese, jo vetëm brenda por edhe në tregun regjional dhe tregun botëror, dhe kanë krijuar stabilitet”, ka thënë Mustafa duke shprehur besimin se në vitet e ardhshme do të ketë edhe më shumë biznese kosovare.

Ai  u ka premtuar bizneseve  se do të bëjë çdo gjë, në mënyrë që ta orientojë dhe ta fokusojë Qeverinë e Kosovës në stimulimin dhe nxitjen e bizneseve, në hapjen e vendeve të punës dhe në konkurrencë.

“… sepse nuk jemi të interesuar që të kemi biznese vetëm në Kosovë, por jemi të interesuar që bizneset tona të dalin dhe të konkurrojnë edhe në tregun regjional dhe në tregun evropian”, theksoi Mustafa.

Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, ka pohuar se kjo është edhe një dëshmi që për kabinetin aktual, prioritet kryesor është zhvillimi ekonomik dhe mbështetja e sektorit privat.

“Vizita e kryeministrit është një motivim dhe inkurajim për sektorin privat dhe besoj që është një motivim shtesë që të jemi të orientuar bashkërisht drejt sektorit privat dhe zhvillimit të tij, si i vetmi sektor që mund të gjenerojë stabilitet ekonomik dhe stabilitet social, si dhe mbi të gjitha të përmirësoj imazhin e Kosovës dhe të promovojë vlerat integruese”, u shpreh kryetari i OEK-ut.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/mustafa-premton-perkrahje-per-biznesin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala