Mustafa: Po punojmë që ta ulim importin e produkteve bujqësore

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, dhe ministri i Financave, Avdullah Hoti, vizitoi Kompaninë Regjionale të Ujitjes “Radoniqi- Dukagjini”, në Gjakovë. Gjatë takimit me drejtuesit e Kompanisë, kryeministri Mustafa u njoftua për punën dhe projektet e kësaj kompanie.

Më pas, kryeministri Isa Mustafa ka vizituar tokat bujqësore që ujiten nga ky sistem, ku është takuar edhe me fermerët e asaj ane. “Ne dolëm sot të vizitojmë sistemin e ujitjes Radoniqi, dhe pastaj të shohim efektet konkrete në terren. Ne jemi përcaktuar si Qeveri që t’i japim prioritet mbi prioritetet zhvillimit të bujqësisë dhe sektorit të bujqësisë në tërësi”, tha kryeministri Mustafa.

Duke vlerësuar punën e suksesshme të Ministrisë sa i përket granteve dhe subvencioneve për prodhuesit e drejtpërdrejtë bujqësor, por edhe për ndërtimin e infrastrukturës e cila do të rris rendimentet në bujqësi, kryeministri Mustafa theksoi se një prej aspekteve infrastrukturore të cilës do t’i jepet përparësi e veçantë, është pikërisht sistemi i ujitjes.

Kryeministri Mustafa po ashtu vlerësoi efektet e sistemit të ujitjes në rreth 5 mijë hektarë të cilat i mbulon Radoniqi, duke shprehur besimin së do të gjenden zgjidhje edhe për problemet me arkëtimet lidhur me shpenzimin e ujit. “Orientimi ynë është që të zgjerojmë sistemin e ujitjes, së paku ta bëjmë dyfish apo trefish me atë që kemi tani, në mënyrë që të rrisim edhe numrin e kulturave që mbillen gjatë vitit në bujqësi, por të rrisim edhe rendimentet. Të gjitha analizat tregojnë se ato rendimente mund të dyfishohen apo trefishohen, me çfarë ne do të arrijmë të ulim importin e produkteve bujqësore, të rrisim dhe ta fuqizojmë eksportin, ta rrisim industrinë përpunuese të këtyre produkteve dhe të përmirësojmë bilancin tregtar dhe punësimin sepse kemi mundësi që të rrisim dukshëm numrin e të punësuarve në bujqësi”, theksoi kryeministri Isa Mustafa.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, theksoi se kjo Qeveri e ka prioritet qendror zhvillimin e bujqësisë, e ka dyfishuar buxhetin për bujqësi dhe ka krijuar edhe skema të reja të subvencionimit të kulturave të reja, duke përmendur edhe perimet në fushë të hapur. “Krahas kësaj ne po mundohemi të gjejmë zgjidhje edhe për problemet strukturore me të cilat po ballafaqohet bujqësia, duke menduar jo në plane afatshkurta, po afatgjata.

Padyshim që ndër dy çështjet më të rëndësishme për të ardhmen është konsolidimi, zgjerimi dhe modernizimi i sistemit të ujitjes, duke filluar nga kjo pjesë, nga sistemi i Radoniqit, por edhe pastaj konsolidimi i rregullimit të tokave, meqenëse problem është mesatarja e vogël e fermave dhe parcelat e vogla me të cilat posedojnë fermerët dhe ekonomitë bujqësore”, tha ministri Krasniqi, duke shtuar se ujitja është bazë e rëndësishme e zhvillimit bujqësor e cila ka të bëjë me rritjen e produktivitetit, rritjen e rendimentit, me ngritjen e cilësisë dhe konkurrueshmërisë së fermerëve dhe produkteve bujqësore.

Ministri i Financave Avdullah Hoti, lidhur me mundësitë e financimit të projekteve, tha se sot është diskutuar në detaje për projektin e zgjerimit të tokave bujqësore në ujitje. “Bujqësia dhe punësimi janë prioritete të kryeministrit dhe sapo të kemi projektin në detaje do të kujdesemi personalisht që të krijojmë mundësi për financimin e tyre. Tash i kemi ndryshuar rregullat e Buxhetit dhe të investimeve kapitale, kemi rregullën e re fiskale për investime, dhe sapo t’i kemi këto projekte ne do të shikojmë financim ndërkombëtar, do të sigurohemi që ky projekt të implementohet”, u shpreh ministri Hoti.

Drejtori i Kompanisë Regjionale të Ujitjes “Radoniqi-Dukagjini” Jahja Kadria, falënderoi kryeministrin Isa Mustafa për vizitën dhe mbështetjen e ofruar për avancimin e mëtutjeshëm të sistemit të ujitjes.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/mustafa-po-punojme-qe-ta-ulim-importin-e-produkteve-bujqesore/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala