Mustafa përkujtoi ish-presidentin Rugova në ditëlindjen e tij

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka përkujtuar sot ish-presidentin e ndjerë, Ibrahim Rugova, në 71 vjetorin e lindjes.

Kryeministri Mustafa, me këtë rast theksoi se ish presidenti Rugova, është themeltar i shtetit të Kosovës, burri i madh i këtij vendi, i cili me vizionin, mençurinë, urtësinë dhe vendosmërinë e pashoq, e udhëhoqi popullin e Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe demokracisë, duke e bërë të mundshëm realizimin e këtyre aspiratave shekullore.

“Presidenti Ibrahim Rugova është arkitekt i padiskutueshëm i shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës. Ai u vu në ballë të rezistencës së popullit të Kosovës, të elitës intelektuale dhe të gjitha forcave të atdhetarëve, duke fituar simpatinë dhe përkrahjen e botës demokratike perëndimore. Ky bashkim vlerash, solli lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, theksoi Mustafa.

Duke iu referuar trashëgimisë intelektuale, politike dhe shpirtërore që Presidenti Rugova ka lënë pas vetes, kryeministri Mustafa theksoi se me jetën dhe veprën e tij kolosale, Presidenti Rugova është bërë sinonim dhe simbol i epokës që solli pavarësinë e Kosovës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës me përkushtim maksimal do të vazhdojë rrugën e konsolidimit të shtetësisë, integrimit në strukturat euroatlantike, në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rrugë e nisur nga Presidenti Ibrahim Rugova, e cila po vazhdohet me vendosmëri nga qytetarët e Kosovës”, tha kryeministri Mustafa. /Telegrafi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/mustafa-perkujtoi-ish-presidentin-rugova-ne-ditelindjen-e-tij/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala