Mustafa paralajmëron vizita në veri të Kosovës

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar nga ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, dhe zyrtarë të tjerë të lartë të Qeverisë, ka vizituar sot Komunën e Mitrovicës.

Atje ata janë pritur nga kryetari Agim Bahtiri. Pas takimit, kryeministri Mustafa dhe kryetari Bahtiri kanë vizituar zonën e lirë industriale ekonomike në fshatin Frashër dhe ndërmarrje në Mitrovicë.

Në një deklaratë për media, kryeministri Isa Mustafa ka premtuar përkrahje për zonën e lirë industriale ekonomike, për harmonizimin e legjislacionit për këto zona të cilat kanë për synim nxitjen e investitorëve të jashtëm.

“Bashkërisht konkluduam se Komuna e Mitrovicës meriton përkrahje dhe një kujdes më të madh nga Qeveria, sepse kanë mbetur mjaft shumë investime pa përfunduar, sidomos ato të infrastrukturës. Kemi një disproporcion ndërmjet shërbimeve të cilat i kryen Komuna e Mitrovicës për qytetarët që janë banorë të përhershëm të kësaj Komune, dhe banorët që janë përkohësisht dhe janë shpërngulur nga veriu në pjesën jugore, ndërkaq nuk bilancohen në Buxhetin e Republikës së Kosovës dhe as në ndarjen e grantit të përgjithshëm”, ka theksuar kryeministri.

Kryeministri Mustafa ka premtuar investime edhe në fushën e arsimit, sidomos në përfundimin e shkollave që kanë filluar të ndërtohen më herët.

“Po ashtu, është kërkuar që të përkrahim disa projekte në partnerit publiko-privat që Mitrovica i ka pasur si iniciativa, por po shkojnë më ngadalë tek ministritë përkatëse.

Unë konsideroj se bashkëbisedimi i tillë, vizitat e tilla dhe kontaktet më të shpeshta, jo vetëm në nivel të kryeministrit dhe të kryetarit të Komunës, por edhe ministrive përkatëse do të krijojnë kushte që projektet që i kemi filluar dhe ato që duhet t’i bëjmë në këtë pjesë, t’i qojmë me kohë përpara”, ka shtuar kryeministri Mustafa.

Ai foli edhe në lidhje me vizitën e tij njërës nga komunat veriore.

Kur u pyet për këtë, Mustafa tha se takohet shpesh me kryetarët e veriut, herë bashkërisht e herë veç e veç me secilin prej tyre, varësisht prej problemeve që kanë, ndërsa nuk precizoi kohën kur do të realizojë një vizitë të tillë.

“Kam shprehur interesimin tim që të vizitoj të gjitha ato komuna, Leposaviqin, Zubin Potokun, Mitrovicën Veriore dhe Zveçanin, dhe do ta bëj një vizitë të tillë sapo të merrem vesh me ta. Nuk e kemi ndonjë agjendë të caktuar, por mendoj se janë relaksuar marrëdhëniet sa vizitat e tilla mund të bëhen” , ka thënë mes tjerash Mustafa.

Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, ka falënderuar kryeministrin Mustafa për interesimin që të mbështesë zhvillimin ekonomik të Mitrovicës.

Kryeministri Isa Mustafa dhe kryetari Agim Bahtiri kanë vizituar edhe Ndërmarrjen “Bunjamini” në fshatin Shupkovë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/mustafa-paralajmeron-vizita-ne-veri-te-kosoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala