Mustafa: Opozita e ka pranuar Asociacionin më 2013

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryeministri Isa Mustafa duke e komentuar kërkesën e partive opozitare për tërheqjen e nënshkrimit nga marrëveshjet e arritura së fundi mes Prishtinës dhe Beogradit, ka thënë se edhe disa nga deputetët e tyre kanë dhënë votën për Asociacionin në vitin 2013, me rastin e ratifikimit të Marrëveshjes së 19 prillit, në të cilën parashihet themelimi i këtij Asociacioni.

Mustafa ka thënë se opozita dhe shoqëria civile për qëllime politike po mundohen që t’ia adresojnë përgjegjësinë për këtë marrëveshje vetëm atij, por i pari i Qeverisë ua kujtuar se themelimi i këtij Asociacioni parashihet me ligj tashmë dhe se kjo nënkupton që opozitarët po kërkojnë të mos zbatohet ligji.

“Prej 88 deputetëve sa kanë votuar, 84 kanë votuar për këtë Ligj, 3 kanë votuar kundër dhe një ka abstenuar. Ndër ata që kanë votuar për këtë Ligj kanë qenë edhe 15 deputetë të LDK-së, e cila atëherë ishte në opozitë, dhe 8 deputetë të AAK-së, e cila po ashtu ishte në opozitë”, ka shkruar Mustafa në profilin e tij në “Facebook”.

Ai më tej ka cituar disa pjesë të marrëveshjes së 19 prillit 2013 duke thënë se themelimi i Asociacionit është vendosur me ligj në vitin 2013 dhe jo me marrëveshjen e 25 gushtit.

“Janë edhe katër pika të tjera të cilat i destinohen Asociacionit në atë dokument. Prandaj, dua të nënvizoj se për krijimin e Asociacionit është vendosur me Ligj më 27 qershor të vitit 2013, jo më 25 gusht të vitit 2015”, ka shtuar Mustafa.

Mustafa më tej tha se ata që po kërkojnë tërheqjen e nënshkrimit të marrëveshjes së 25 gushtit të këtij viti, por kërkojnë që të mos zbatohet një ligj i Kosovës.

“Ata që sot kërkojnë të tërhiqet nënshkrimi, duhet ta dinë se deputetët e tyre e kanë dhënë votën për këtë Asociacion, me ratifikimin e Marrëveshjes së Parë me Ligj. Prandaj, ata që kërkojnë tërheqje të nënshkrimit, kërkojnë moszbatim të Ligjit për ratifikim të marrëveshjes ndërkombëtare. Dhe rrjedhimisht, të drejtën për të kërkuar moszbatim të Ligjit nuk e ka askush në këtë vend”, ka vazhduar Mustafa.

Kështu ai e ka ftuar opozitën që të ketë një qasje më konstruktive, ndërsa ka thënë se ligji vlen për të gjithë.

“Ligji vlen për të gjithë,për pozitën dhe opozitën, për qytetarët dhe për shoqërinë civile. Unë konsideroj se çdo gjë është bërë sipas Marrëveshjes së ratifikuar me Ligj, është bërë sipas ligjeve të Kosovës dhe sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Por do të jetë Gjykata Kushtetuese ajo që përfundimisht do të japë mendimin e saj”, ka përfunduar Mustafa.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/mustafa-opozita-e-ka-pranuar-asociacionin-me-2013/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala