Mustafa: Nuk kam të bëj me emërimet në RTK

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa i ka quajtur tendencioze lajmet që emërimi i dy personave në pozita editoriale në RTK është bërë në marrëveshje me të ose me dikë nga LDK’ja

Mustafa ka mohuar që ai ose dikush nga partia e tij të ketë kërkuar emërimin e ndonjë emri të përveçëm në pozita editoriale në Radiotelevizionin e “Kosovës.

Ky është postimi i Mustafës në Facebook:

“Të dashur miq,
Në portale është publikuar një “lajm”, sipas të cilit, emërimi i dy personave në pozita editoriale në Radiotelevizionin e Kosovës (RTK) është bërë në marrëveshje me Kryeministrin dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Kjo është një e pavërtetë e madhe. Të tilla, çfarë për fat të keq po lexojmë, dëgjojmë e shikojmë shpesh.
Përpjekjet për ta lidhur LDK-në dhe mua si Kryetar i saj dhe Kryeministër i Kosovës me zhvillime të tilla në RTK janë tendencioze. As unë, as stafi im dhe askush në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk ka kërkuar emërimin e asnjë emri të përveçëm në pozita editoriale. Si kryeministër i Kosovës, mbetem i përkushtuar për ta mbështetur depolitizimin e transmetuesit publik dhe shndërrimin e tij në një shërbim cilësor për tërë publikun kosovar.
Politika editoriale e RTK-së nuk duhet të jetë e LDK-së dhe në interes të saj por as kundër LDK-së, sikurse edhe kundër asnjë subjekti tjetër. Ajo duhet të jetë e balancuar, të zbatoj kritere profesionale dhe të krijojë hapësirë të paanshme për të gjithë, ndërkaq qeverisja dhe menaxhimi të ushtrohen me mbikqyrje parlamentare, ashtu siç e parasheh ligji.”

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/mustafa-nuk-kam-te-bej-me-emerimet-ne-rtk/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala