Mustafa: LDK ndryshon dhe plotëson Statutin e partisë

Kryetari i rizgjedhur i LDK-së, Isa Mustafa ka njoftuar se pas përmbylljes së procesit zgjedhor, LDK do të organizoj Konventën e Dytë të saj (Kuvendin punues) për orientimet programore për katër vitet e ardhshme, si parti e qendrës së djathtë, e cila ka marrë përgjegjësinë, për herë të parë pas lufte, të drejtojë qeverisjen e vendit.
Në këtë Konventë, sipas Mustafës, do të propozohen disa ndryshime dhe plotësime të Statutit të LDK-së që ndërlidhen me organizimin e degëve jashtë vendit dhe me moshën e Forumit Rinor të LDK-së.
“Kurse, delegatëve të Kuvendit, do tu prezantohet raporti i punës së LDK-së për katër vitet e kaluara dhe raporti financiar si dhe do të informohen lidhur me punën e grupit parlamentar të LDK-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar në Facebook, kryetari i rizgjedhur i LDK-së, transmeton ORAinfo.
Sipas Mustafës, në fazën përgatitore të kësaj Konvente, do të zhvillohet debat me anëtarësinë dhe organet e LDK-së në terren, ku në mënyrë të drejtpërdrejtë do të japin kontributin e tyre në këto procese. /ORAinfo/