Mustafa ia rikujton AAK-së votën për Asociacionin

Autori:Gazeta Fjala

Kryeministri Isa Mustafa i është përgjigjur kërkesës së Ramush Haradinajt për të tërhequr nënshkrimin nga marrëveshje për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, duke thënë se për themelimin e këtij mekanizmi ka votuar edhe Partia e Ramush Haradinajt sa ishte në opozitë bashkë me LDK’në.

Mustafa ka thënë se s’ka kthim prapa sa i përket marrëveshjeve të arritura me Serbinë pasi të njëjtat janë ratifikuar në Kuvendin e Kosovës edhe me ndihmën e AAK’së.

“Ata që sot kërkojnë të tërhiqet nënshkrimi , duhet ta dijnë se deputetët e tyre e kanë dhënë votën për këtë Asociacion, me ratifikimin e Marrëveshjes së Parë me Ligj. Prandaj, ata që kërkojnë tërheqje të nënshkrimit, kërkojnë moszbatim të Ligjit për ratifikim të marrëveshjes ndërkombëtare. Dhe rrjedhimisht, të drejtën për për të kërkuar moszbatim të Ligjit nuk e ka askush në këtë vend”, ka shkruar Mustafa, në një postim në FB, transmeton Express.

Lexojeni të plotë reagimin

Për arsye thjesht politike opozita por edhe një pjesë e shoqërsisë civile dëshiron të adresoj përgjegjësinë te unë si Kryeministër i vendit dhe te Qeveria, për Parimet e Përgjighëhme për Asociacionin.

Ata dëshirojnë të shlyejnë nga kujtesa se Kuvendi i Republikës së Kosovës më 27 Qershor të vitit 2013 ka aprovuar Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Parë Ndërkombëtare të Parimeve që Rregullojnë Normalizimin e Marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe të Planit të Zbatimit për këtë Marrëveshje.

Prej 88 deputetëve sa kanë votuar, 84 kanë votuar për këtë Ligj, 3 kanë votuar kundër dhe një ka abstenuar. Ndër ata që kanë votuar për këtë Ligj kanë qenë edhe 15 deputet të LDK-së, e cila atëherë ishte në opozitë, dhe 8 deputet të AAK-së, e cila po ashtu ishte në opozitë.

Në pikën e parë të Marrëveshjes e cila është ratifikur me Ligj me 2/3 e dyfishta të deputetëve thuhet:” Do të krijohet një Asociacion/Bashkësi e komunave me shumicë Serbe në Kosovë. Anëtarësia do të jetë e hapur për çdo komunë tjetër nëse anëtarët janë në pajtim”. Në pikën 4 të kësaj Marrëveshje thuhet: “ Në përputhje me kompetencat e parapara me Kartën Evropiane për Vetëqeverisjen Lokale dhe ligjin e Kosovës, komunat pjesëmarrëse do të kenë të drejtë të bashkëpunojnë në ushtrimin kolektiv të kompetencave të tyre përmes Bashkësisë/Asociacionit. Asociacioni/Bashkësia do të ketë vështrim të plotë mbi fushat si zhvillimi ekonomik, arsimi, shëndetësia, planifikimi urban dhe rural”.

Janë edhe katër pika të tjera të cilat I destinohen Asociacionit në atë dokument. Prandaj, dua të nënvizoj se, për krijimin e Asociacionit është vendosur me Ligj më 27 Qershor të vitit 2013, jo më 25 gusht të vitit 2015.

Ata që sot kërkojnë të tërhiqet nënshkrimi , duhet ta dijnë se deputetët e tyre e kanë dhënë votën për këtë Asociacion, me ratifikimin e Marrëveshjes së Parë me Ligj. Prandaj, ata që kërkojnë tërheqje të nënshkrimit, kërkojnë moszbatim të Ligjit për ratifikim të marrëveshjes ndërkombëtare. Dhe rrjedhimisht, të drejtën për për të kërkuar moszbatim të Ligjit nuk e ka askush në këtë vend.

Unë ftoj opozitën për qasje konstruktive. Ligji vlen për të gjithë,për pozitën dhe opozitën, për qytetarët dhe për shoqërinë civile.

Unë konsideroj se çdo gjë është bërë sipas Marrëveshjes së ratifikur me Ligj, është bërë sipas ligjeve të Kosovës dhe sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Por do të jetë Gjykata Kushtetetuese ajo që përfundimisht do të japë mendimin e saj.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/mustafa-ia-rikujton-aak-se-voten-per-asociacionin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala