Mustafa e Vuçiq takohen më 13 tetor për arsye të çuditshme!

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiq do të takohen më 13 tetor në Bruksel. Kështu i kanë thënë Gazetës Blic burime brenda Qeverisë së Kosovës.

Sipas këtyre burimeve, ky nuk do të jetë një takim formal, por të dy kryeministrat do të jenë të ftuar në një darkë tek përfaqësuesja për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, e cila njëkohësisht është edhe ndërmjetëse në bisedimet Kosovë- Serbi, Federica Mogherini.

Sipas këtyre burimeve, arsyeja e këtij takimi është relaksimi i raporteve ndërmjet të dy kryeministrave.

“Gjatë takimeve zyrtarë ndërmjet dy kryeministrave në vazhdimësi ka mbretëruar një atmosferë e tensionuar dhe e vrazhdë. Prandaj, Mogherini ka vendosur që më 13 tetor t’i ftoj në një darkë private dy kryeministrat, në mënyrë që t’i relaksoj raportet ndërmjet tyre”, ka thënë ky burim brenda Qeverisë së Kosovës.

Ndryshe, që nga ndërrimi i Qeverisë në Kosovë, delegacionin e Kosovës në bisedimet me Serbinë e udhëheq kryeministri Isa Mustafa.

Kryeministri i Kosovës, së fundi e kishte nënshkruar marrëveshjen për Asociacionin e Komunave Serbe, çka bëri që opozita të rebelohet dhe të bllokoj edhe punën e Kuvendit të Kosovës.

Para dy javësh kryeministri Mustafa doli që të raportoj për këto bisedime në Bruksel, mirëpo deputetët opozitare e gjuajtën me vezë duke mos lejuar atë të mbajë fjalimin.

Deputetët opozitarë, nga ai moment e kanë bllokuar foltoren e Kuvendit dhe nuk po lejojnë që të zhvillohen seancat e rregullta.

Pas këtij veprimi të opozitës, një pjesë e diplomatëve të akredituar në Kosovë, kanë kërkur nga opozita që të heq dorë nga bllokada institucionale.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/mustafa-e-vuciq-takohen-me-13-tetor-per-arsye-te-cuditshme/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala