Mustafa: Do ta mundim çdo fushatë raciste ndaj Kosovës

Autori:Avdyl Pajaziti

Nga Vilniusi, kryeqyteti i Lituanisë, ku po zhvillon një vizitë zyrtare, kryeministri Isa Mustafa, ka shprehur keqardhjen e thellë për mungesën e konsensusit ndërkombëtar për pranimin e Kosovës si anëtare me të drejta të plota në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO), duke theksuar se Kosova nuk do të zmbrapset nga agjenda e saj euroatlantike dhe do t’i bindë të gjithë se e meriton të bëhet pjesë e të gjitha organizatave ndërkombëtare.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, ka theksuar se mungesa e mbështetjes së mjaftueshme për anëtarësimin në UNESCO kësaj radhe, do t’i nxisë institucionet e shtetit të forcojnë zbatimin e parimeve themeltare që janë mbrojtja e kultivimi i vlerave të përbashkëta dhe diversitetit si dhe kontributi për paqen dhe sigurinë.

“Kosova do të vazhdojë të promovojë bashkëpunimin ndërkombëtar përmes arsimit, shkencës dhe kulturës, duke çuar përpara respektimin universal për drejtësi, sundim të ligjit dhe të drejtat e njeriut, së bashku me liritë themelore të shpallura në Kartën e Kombeve të Bashkuara”, ka thënë kryeministri Mustafa.

Mustafa, po ashtu, ka shtuar se këto parime janë fondamentale për një shoqëri demokratike, për çka është orientuar Kosova me një konsensus të plotë shoqëror dhe kulturor.

Kryeministri ka thënë se lobimi për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO është bërë me një punë të jashtëzakonshme të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe institucioneve të tjera kompetente dhe nuk është e drejtuar ndaj asnjë shteti fqinj dhe as kundër ndonjë bashkësie etnike në Kosovë.

“Fatkeqësisht, orientimi i qartë pro-perëndimor i Kosovës si dhe gatishmëria e saj për të çuar përpara të gjitha agjendat konstruktive, i ka penguar Serbisë, e cila ka ndërmarrë në vazhdimësi, por sidomos gjatë këtij procesi, një fushatë raciste kundër Kosovës. Kjo ka ndikuar tek disa shtete që ndajnë interesa të përbashkëta me aleatët e Serbisë. Por, kjo nuk na zmbraps aspak. Sepse ne jemi të vendosur të punojmë pareshtur për ta fuqizuar shtetin e Kosovës dhe për ta afirmuar atë si një projekt të suksesshëm, që u shërben interesave të qytetarëve të saj, pa asnjë dallim dhe që është kontribut i paqes, tolerancës dhe prosperitetit”, ka theksuar Mustafa.

Kryeministri ka falënderuar ndërkaq të gjithë mbështetësit e Kosovës në procesin e anëtarësimit në UNESCO. “Dua të falënderoj sponsoruesin e kërkesës për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, Republikën e Shqipërisë si dhe shtetet mike përkrahëse të Kosovës që u impenjuan maksimalisht për të kapërcyer çdo lloj pengese që iu shfaq aktit civilizues të pranimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare”, ka thënë kryeministri Mustafa. /Telegrafi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/mustafa-do-ta-mundim-cdo-fushate-raciste-ndaj-kosoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala