Mustafa: “Disa po argëtohen duke kërkuar zgjedhje”

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, përmes një postimi në Facebook, iu ka përgjigjur atyre që po paralajmërojnë zgjedhje të parakohshme si dhe atyre që po kërcënojnë me trazira lidhur me demarkacionin dhe krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe dhe skepikëve lidhur me krijimin e Ushtrisë së Kosovës.

Mustafa ka thënë se Qeveria do të vazhdojë të punojë me ngulm për realizimin e Programit të saj, që është shumë i mirë, kurse zgjedhje do të mbahen në vitin 2018. Ndërsa, Thaçi do të bëhet President i Republikës së Kosovës, ashtu siç është përcaktuar me marrëveshje.

Lexojeni të plotë postimin e kryeministrit Mustafa:

“Periudhën e pushimeve sivjet po e kalojmë në forma të ndryshme. Disa po punojmë, disa po argëtohen duke kërkuar zgjedhje, disa po “brengosen” për zgjedhjen e Presidentit në fillim të vitit të ardhshëm, disa po e kërcënojnë shtetin dhe udhëheqësit shtetëror (por edhe familjet e tyre) me shënjimin e kufijve dhe me Asociacionin e Komunave, disa po shprehin shqetësimet për ardhmërinë e Forcave të Armatosura të Kosovës e disa po lahen në det.

Unë shoh vetëm një zgjidhje: Qeveria do të vazhdojë të punojë me ngulm për realizimin e Programit të saj, që është shumë i mirë . Askush askënd nuk do ta pengoj që të bëjë prova dhe ushtrime për zgjedhjet e përgjithshme, të cilat do të mbahen në vitin 2018. Z. Thaçi do të bëhet President i Republikës së Kosovës, ashtu siç e kemi përcaktuar me marrëveshje.

Askush nuk do ta falë asnjë pëllëmbë toke të Kosovës dhe as nuk do të marrë nga toka e huaj dhe nuk do t’i epet askujt hapësirë që ta rrezikojë shtetin, institucionet shtetërore dhe pronën private. Ushtrinë e kemi, sido që ia vemi emrin, forca është kjo që e kemi si FSK, andaj edhe ata që dëshirojnë ta pengojnë edhe ata që dëshirojë t’ia ndryshojnë emrin ashtu siç e kemi propozuar, duhet ta kenë të qartë se Kosova e ka forcën e vet. Prandaj, të punojmë, të flemë dhe të pushojmë rehat, sepse përgjegjësitë për këtë shtet nuk i kemi marrë për mahi. IM” (sic.), ka shkruar Mustafa.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/mustafa-disa-po-argetohen-duke-kerkuar-zgjedhje/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala