Mustafa: BE e SHBA mbështesin fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës

Autori:Gazeta Fjala

Prishtinë, 16 tetor – Kryeministri kosovar Isa Mustafa, pas kthimit nga Brukseli, deklaron se Republika e Kosovës ka mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar.

“Ne po punojmë përditë për ta bërë shtetin tonë funksional dhe partnerë të denjë me miqtë tanë”, thekson ai.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Mustafa bën të ditur se në Bruksel ka zhvilluar takime të rëndësishme me zyrtarë të shumtë evropianë, përfshirë edhe kolegët e Partive Popullore Evropiane (EPP), të cilët udhëheqin shumicën e qeverive të vendeve të Bashkimit Evropian dhe të cilët më kanë rikonfirmuar mbështetjen për Kosovën.

Po ashtu, vijon ai, patëm një darkë pune të organizuar nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, me delegacionin e Serbisë.

“Ne po punojmë pareshtur për ta bërë Kosovën anëtare të UNESCO-s dhe jemi të sigurt se këtë do ta arrijmë brenda pak ditësh. Brenda pak javësh, Kosova do ta nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian. Për një periudhë të shkurtër ne do të përmbyllim detyrat tona dhe do ta marrim datën e Liberalizimit të Vizave. Që nesër barrikada në urën mbi lumin Ibër do të hiqet dhe me mbështetjen e Bashkimit Evropian, ashtu siç është paraparë, ajo do të shndërrohet në urë që lidh e jo më që ndanë qytetin e Mitrovicës”, shprehet Mustafa.

Kosovës, vijon ai, i duhet konsensus kombëtar për këto procese të rëndësishme dhe para së gjithash, Kosovës i duhet të dëshmojë racionalitet dhe stabilitet.

“Nga aktet e dhunës në institucione, ndaj institucioneve të shtetit, institucioneve të pavarura dhe ndaj përfaqësuesve legjitimë të qytetarëve të Kosovës, ne duhet të kthehemi nga debati i bazuar në rregullat demokratike dhe brenda institucioneve përfaqësuese”, thekson kryeministri Mustafa.

Sipas tij, qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë pasigurinë që prodhojnë situatat konfliktuale me prapavijë betejën për pushtet.

“Ne kemi përgjegjësi t’i udhëheqim ata për aq sa ata na kanë besuar me vullnetin e tyre. Konform atij vullneti, ne duhet të sillemi në institucionet e shtetit. Debat në Kuvend në vend të bllokadës. Argumente në vend të akuzave. Vizion për të ardhmen e jo kthim prapa. Kosova ka institucione me legjitimitet qytetar dhe të njohur e mbështetur ndërkombëtarisht. Kosova duhet dhe do të ecë përpara”, përfundon Mustafa.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/mustafa-be-e-shba-mbeshtesin-fuqizimin-e-subjektivitetit-nderkombetar-te-kosoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala