Murati: Pagesa e sigurimit kufitar irriton bashkatdhetarët

Autori:Avdyl Pajaziti

Në mbledhjen e rregull të Qeverisë së Kosovës,ministri i Diasporës Valon Murati ka folur për takimet që ka pasur me bashkatdhetarë nëpër vende të Europës. “Nuk ka diçka që i irriton më shumë bashkatdhetarët tanë sesa pas udhëtimeve të gjata, kur hyjnë në atdheun e tyre, rruga duhet t’u zgjatet edhe përmes pagesës së sigurimit kufitar. Jam i vetëdijshëm që kjo situatë vjen edhe si pasojë e faktit se Kosova nuk është pjesë e OKB-së dhe si rrjedhojë vështirësohet zgjidhja përfundimtare e kësaj çështje”, ka thënë Murati.

 Ky është fjalimi i ploë i Muratit në mbledhje e Qeverisë:

Gjatë takimeve që kam pasur me bashkatdhetarët tanë, me të gjitha strukturat e tyre, duke përfshirë mësuesit, njerëzit e kulturës, studentët, biznesmenët e punëtorët, por edhe shoqatat e rrjetet e ndryshme në të cilat janë të organizuar, çështja e Kartonit të Gjelbër është njëra prej problematikave që ata vazhdimisht e shtrojnë për zgjidhje, raporton Koha.net.

Nuk ka diçka që i irriton më shumë bashkatdhetarët tanë sesa pas udhëtimeve të gjata, kur hyjnë në atdheun e tyre, rruga duhet t’u zgjatet edhe përmes pagesës së sigurimit kufitar. Jam i vetëdijshëm që kjo situatë vjen edhe si pasojë e faktit se Kosova nuk është pjesë e OKB-së dhe si rrjedhojë vështirësohet zgjidhja përfundimtare e kësaj çështjeje.

Sidoqoftë, duke qenë afër këtyre brengave, e në bashkëpunim edhe me institucione të tjera, e në këtë rast sidomos me kryetarin e Komisionit për Buxhet dhe Financa Naser Osmani, dhe me ekspertë të fushës, kam bërë përpjekje të identifikoj zgjidhjet e mundshme alternative. Megjithatë që procesi i gjetjes së një rruge të pranueshme për zgjidhjen e këtij problem të marrë një rrugë për zgjidhje dhe të fuqizohet, besoj se është e nevojshme përfshirje e të gjitha strukturave shtetërore me kapacitetet politike dhe profesionale, përfshirë vetë kabinetin qeveritar dhe Zyrës së Kryeministrit. Në funksion të saj, kryeministër, rekomandoj që në afat sa më të shkurtër të trajtoni mundësinë e krijimit të një grupi pune i përbërë nga institucionet relevante, në mënyrë që urgjentisht t’i trajtojë të gjitha zgjidhjet alternative që janë identifikuar deri më tani dhe që në bashkëpunim edhe me partnerët ndërkombëtarë, e sidomos me ndihmën e Komisionit Evropian, të gjendet mundësia për zgjidhjen e kënaqshme të kësaj problematike, së paku para 1 korrikut të këtij viti.

Duke qenë se më 26 dhe 27 maj mbahet mbledhja vjetore e Asamblesë së Këshillit të Byrove Evropiane të Sigurimit ne Poloni, një reagim yni do të mund të krijonte hapësira për zgjidhje të ndërmjetme, gjithsesi jo të plotë, por e cila do të ishte e dobishme për bashkatdhetarët tanë, por edhe për vetë ekonominë e vendit, deri sa nuk ndodh anëtarësimi i Kosovës në OKB dhe rrjedhimisht krijohen kushtet për anëtarësim në Kartonin e Gjelbër, përkatësisht në Këshillin e Byrove.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa u pajtua që të procedohet më tej me këto konstatime të ministrit Murati.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/murati-pagesa-e-sigurimit-kufitar-irriton-bashkatdhetaret/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala