Mungesë përparimi në shumë fusha

Autori:Avdyl Pajaziti

Lufta kundër korrupsionit, reforma në administratë, zhvillimin ekonomik, lufta kundër krimit të organizuar, janë disa nga fushat në të cilat Kosova nuk ka shënuar përparim në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian.

Kështu kanë vlerësuar përfaqësues të shoqërisë civile në Kosovë, gjatë një debati me temën “Raporti i Progresit për Kosovën: Cila do të ishte përgjigja më e arsyeshme?”.

Drejtori ekzekutiv i Institutit për Hulumtime të Avancuara, GAP, Agron Demi ka thënë se Raporti i Progresit ka treguar se Kosova ka shënuar ngecje në reformat e brendshme përgjatë viteve.

“Për shembull funksionimi i ekonomisë së tregut ka marrë nota negative për 10 vjet, asnjë përparim, struktura sektoriale dhe ndërmarrësia asnjë përparim, hyrja dhe dalja në treg nuk ka asnjë përparim, lufta kundër korrupsionit, reformat e administratës publike, luftimi i krimit të organizuar dhe luftimi i terrorizimit janë me të njëjtën gjuhë”, shprehet Demi.

Ai ka shtuar se nuk ka shpresë se në vitin e ardhshëm, kur do të publikohet Raporti i Progresit, Kosova të shënojë progres në këto fusha.

Raporti i Progresit për Kosovën i Komisionit Evropian, gjatë këtij debati është theksuar se Kosovën e ka vlerësuar gati në të gjitha fushat se është në fazat fillestare të përgatitjeve.

Zëvendës-shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Thomas Gnocchi, ka thënë se në shumicën e fushave Kosova është në fazën e hershme, por që këtë ai e ka theksuar normale, pasi që sipas tij, Kosova sapo ka filluar shtegun e saj të vërtetë drejtë BE-së.

“Lufta kundër korrupsionit është një fushë për të cilën mendojmë se Kosova është në një fazë të hershme të përgatitjeve, por ka pasur ca përparime, në veçanti sa i përket bashkëpunimit në mes të agjencive kundër korrupsionit dhe prokurorisë”.

“Po ashtu, kemi parë përparime edhe te sistemi i deklarimit të pasurisë, ku është zhvilluar pak gjatë kësaj periudhe, por në përgjithësi ne nuk kemi parë rezultate konkrete në këtë fushë, sidomos në arrestimin e rasteve apo profileve të larta të korrupsionit”, ka thënë Gnocchi.

Ai ka theksuar se gjendja mbetet e pakënaqshme në fushën e ekonomisë, sidomos kur është fjala për papunësinë.

Sipas tij, ka pasur disa shenja të rritjes pak më të madhe ekonomike si dhe rritje të investimeve, por që të gjitha këto janë të pakta në krahasim me gjendjen e përgjithshme.

Edhe kryeredaktori i gazetës Koha Ditore, Agron Bajrami ka theksuar se në shumicën e sektorëve konstatohet se Kosova është në fazën e nisjes së përgatitjes për adresimin e një çështjeje.

“Kemi problem me administratën publike dhe gjyqësorin ku theksohet vazhdimi i politizimit, vazhdimi i një lloj ndërhyrjeje të politikës apo të emërimeve politike dhe jo emërimeve sipas meritës”.

“Gjyqësori po ashtu është shumë relevant edhe në aspektin apo pjesën ku monitorohet se si është luftuar korrupsioni dhe krimi i organizuar, gjëra që konstatohen me një gjuhë goxha të drejtpërdrejtë se nuk janë luftuar në masën sa është pritur dhe është dashur e as në masën minimale”, ka thënë Bajrami.

Ndryshe, Raporti i Progresit për Kosovën i Komisionit Evropian i publikuar ditë më parë ka vlerësuar tri të arritura kryesore, ku përfshihen nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian, vendimi për themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte dhe të arriturat në dialogun me Serbinë.

Ndërkaq, si ngecje ka veçuar sërish reformat në ekonomi dhe drejtësi. Po ashtu, raporti qorton edhe opozitën për shkak të bllokimit të punës së Kuvendit dhe përdorimit të dhunës. /rel/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/mungese-perparimi-ne-shume-fusha/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala