Muja “trashë” kursimet në bankë, nga 59 mijë në 90 mijë euro

Në bazë të deklaratës së fundit të pasurisë, kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, është treguar kursimtar me 90 mijë e 480 euro kursime në institucione financiare
Fondi i kursimeve të tij brenda një viti është rritur për 31 mijë e 480 euro, pasi që në deklaratën e parafundit kishte bërë të ditur se i ka 59 mijë euro të kursyera.
Vetitë kursimtare Muja i ka treguar edhe në periudhën prej vitit 2010 e deri në vitin 2013, ngase paratë e gatshme në llogarinë e tij bankare, prej vitit në vit janë shtuar. Por nga marsi i 2013-ës e deri në mars të 2014-ës ai nuk ka arritur që të kursejë asnjë cent më shumë.
Kreu i Prizrenit ka bërë të ditur se jeton në shtëpinë familjare të ndërtuar në vitin 1978, të cilën e ka vlerësuar me 150 mijë euro.
Në 2015-ën ai ka shkruar se nga buxheti i Kosovës merr pagë vjetore në shumën prej 14 mijë e 373 eurove dhe pensionin në shumën prej 1 mijë e 680 eurove.
Derisa në deklaratën e publikuar në vitin 2014 kishte shpalosur se i ka 59 mijë euro kursime, në atë të vitit 2015 ka shpjeguar se i ka 90 mijë e 480 euro të kursyera. 59 mijë eurot e kursyera i kishte deklaruar edhe në vitin 2013.
Në vitin 2012, Muja ka deklaruar se i ka pasur 36 mijë e 700 euro para të gatshme në bankë, derisa në vitin 2011 kjo shumë ishte 18 mijë euro, e në vitin 2010 vetëm 7 mijë e 600 euro.