Muja suspendon zyrtarët e arrestuar, cakton ushtruesit e detyrave në Drejtorinë e Arsimit

Autori:Avdyl Pajaziti

Komuna e Prizrenit ka ngarkuar me përgjegjësi disa persona tjerë, në Drejtorinë për Arsim, e cila ka mbet bosh që kur Policia e Kosovës arrestoi punonjësit e kësaj drejtorie me dyshimin për kryerjen e veprave penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare dhe të cenimit të së drejtës në punësim dhe të papunësisë.

Shefi i Zyrës për informim në Komunën e Prizrenit, Ymer Berisha, ka thënë për Gazetën Express se Kryetari i komunës, Ramadan Muja ka caktuar si ushtrues detyre të Drejtorit të Arsimit me mandat të përkohshëm, Simir Krasniqin, njëherit drejtor i shkollës së mesme të mjekësisë në Prizren. Edhe vendet e 5 zyrtareve tjerë të arrestuar janë zëvendësuar me zyrtarë tjerë thotë Berisha.

Ata do të marrin përgjegjësitë për të drejtuar Drejtorinë e Arsimit, pas masave të sigurisë që ka caktuar Gjykata Themelore e Prizrenit ndaj drejtorit Nexhat Çoçaj dhe pesë vartësve të tij.

“Nuk kemi ndërmarrë vendim të prerë për suspendim, por këto masa janë ndërmarr derisa të vendosin organet e drejtësisë, për rastin në fjalë. Ata do të merren dhe do të menaxhojnë me kërkesat që vinë në drejtorinë e Arsimit”, ka thënë Berisha.

Drejtorit të deritanishëm të Arsimit të komunës së Prizrenit Nexhat Çoçajt i është caktuar masa e paraburgimit prej 1 muajsh, ndërkohë që për 5 zyrtarët tjerë është caktuar masa e arrestit shtëpiak. 6 zyrtarët janë arrestuar në fillim të javës së kaluar, me dyshimin për kryerjen e veprave penale të shpërdorimit të detyrës zyrtare dhe të cenimit të së drejtës në punësim dhe të papunësisë.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/muja-suspendon-zyrtaret-e-arrestuar-cakton-ushtruesit-e-detyrave-ne-drejtorine-e-arsimit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala