Muja ia paguan operacionin e syrit, Haziz Hodajt (Dokument)

Autori:Zekirja Shabani

Kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, ka paguar faturën e operacionit të syrit, kuvendarit të LDK-së, Haziz Hodajt. Shuma e lejuar e pagesës, kap vlerën rreth 5 mijë euro.

“Miratohet kërkesa e deputetit të Kuvendit të Komunës së Prizrenit për lejimin e mjeteve financiare për mbulimin e shpenzimeve të mjekimit të tij”, thuhet në vendimin e kryetarit Ramadan Muja.

Kuvendi Komunal i Prizrenit në korrik të vitit të kaluar, ka marrë vendim për lejimin e mjeteve për mbulimin e shpenzimeve të shërimit nga sëmundjet e rënda të anëtarëve të Kuvendit Komunal. Me këtë vendim secilit anëtar me kushte të rënda ekonomike, për shërim i lejohen mjetet financiere deri në 5 mijë euro.

Pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, kuvendari i LDK-së Haziz Hodaj, ka bërë kërkesë për heqjen e shpenzimeve të operacionit të syrit. Kërkesa i është drejtuar kryetarit të Komunës Ramadan Muja. Në këtë kërkesë Hodaj, arsyetohet se me rekomandim të mjekëve është detyruar që t’i nënshtrohet operacionit të syrit jashtë vendit.

“Në pamundësi të kushteve financiare për të paguar shpenzimet e operacionit, si anëtar i zgjedhur i Kuvendit Komunal kërkoj nga Drejtoria e Financave, që të bëjë mbulimin e këtij shpenzimi”, thuhet në kërkesën e Hodajt.

“Vlera e shpenzimeve të operacionit dhe trajtimi pas, arrin shifrën rreth 4950 euro. Kësaj kërkese ia bashkëngjis faturat e operacionit, kontrolleve dhe barërave të domosdoshme”.

Kryesuesi i Kuvendit të Prizrenit, Kujtim Gashi konfirmon se kuvendarit Hodaj iu kanë paguar shpenzimet e operacionit të syrit.

“Po është e vërtet se kemi paguar shpenzimet e operacionit të syrit kuvendarit Hodaj, pasi që Kuvendi vitin e kaluar ka marrë vendim që të ndihmohen kuvendarët në rastet e sëmundjeve të rënda“, tha Gashi për “PrizrenPress”.

Ai tregon se kuvendari Haziz Hodaj, ka bërë edhe një kërkesë tjetër për t’ju paguar ndërhyrja e dytë e syrit.

“Ka bërë edhe një kërkesë tjetër, por me sa e di ende nuk ju kanë lëshuar mjetet”, tregon Gashi.

Ndërkaq, kuvendari i LDK-së në Prizren Haziz Hodaj, pavarësisht se në kërkesën drejtuar kryetarit Muja është arsyetuar se nuk ka kushte financiare për të mbuluar shpenzimin e operacionit të syrit, në Agjencinë Kundër Korrupsionit, ka deklaruar 380 mijë euro pasuri të paluajtshme, ndërsa të luajtshme 6 mijë euro. Hodaj, po ashtu ka deklaruar 300 mijë euro si posedim të aksioneve në shoqëri komerciale./Telegrafi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/muja-ia-paguan-operacionin-e-syrit-haziz-hodajt-dokument/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala