Muhaxhiri: Opozita s’ka qëllime të qarta, u vonua me protestë

Autori:Avdyl Pajaziti

Paralajmërimet e bllokut opozitar – Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma, kanë ngjallur reagime tek njohësit e çështjeve politike në vend.

Artan Muhaxhiri, njohës i çështjeve politike në Kosovë, në një prononcim për ORAinfo, është shprehur se thirrjet e opozitës për protestë janë të vonshme dhe ka theksuar se ky bllok opozitar nuk ka ndonjë qëllim të qartë.

“Ideja e protestës është ide e mirë, por vetëm në letër. Është problematike se sa ajo do të ketë efekt në praktikë. Pra, nuk besoj që kjo është një kauzë që tash do të mund t’i mobilizoj qytetarët”, ka thënë Muhaxhiri.

Ai ka bërë të ditur se opozita do të ishte më mirë që të koncentohej më shumë në çështjet që kanë të bëjnë me jetën e përditshme të qytetarëve të Kosovës.

“Do të ishte mirë që opozita të koncentohej në shumë çështje të tjera që janë më problematike për jetën e përditshme. Bashkimi i opozitës është një ndër mënyrat më premtuese për ta luftuar pushtetin vetëm nëse ka plane konkrete. Ky bahskim duhet të pasohet edhe me strategji konkrete, sepse në të kundërtën nuk do të jetë i besueshëm”, ka thënë ai për ORAinfo.

Muhaxhiri shtoi se kjo protestë nuk do të ketë rezultat rrëzimin e Qeverisë, dhe se thirrja e opozitës për protestë është e vonshme, pasi që sipas tij kjo po bëhet disa javë pas nënshkrimit të marrëveshjeve për Kosovën në Bruksel.

“Kjo protestë do të jetë një test për fuqinë e opozitës, prsa nëse ka numër të madh të qytetarëve protestues, atëherë ky do të jetë motivi i opozitës për protesta të tjera. Por nëse nuk do të ketë numër të madh, atëherë opozita gjithsesi duhet ta rimendoj pozitën e vet, sepse me një qasje të tillë ajo vetëm që po i bënë mirë pozitës se sa dëm”, ka shtuar më tej Muhaxhiri.

Kujtojmë se gjatë ditës së sotme Visar Ymeri i Vetëvendosjes, Fatmir Limaj i Nismës dhe Ramush Haradinaj i AAK-së, kanë paralajmëruar se të premten do të nisin nënshkrimin e një peticioni për t’u bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të shprehin pakënaqësitë e tyre për rrënimin që po i bëhet shtetit dhe të shprehin kundërshtimet e tyre për marrëveshjet e arritura në Bruksel. /ORAinfo/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/muhaxhiri-opozita-ska-qellime-te-qarta-u-vonua-me-proteste/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala