MTI lejon kompaninë e paautorizuar të verifikojë naftën

Autori:Gazeta Fjala

MTI lejon kompaninë e paautorizuar të verifikojë naftën

Zyrtarët e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI), lejojnë që trupa inspektuese KPU Inspekt, kompani e cila bënë verifikimin e konformiteteve të cilësisë së karburanteve të naftës në pikat kufitare të veproi pa autorizim.

Në rastet kur një trupë inspektuese e verifikimit i skadon autorizimi, do të duhej që kryeinspektori i MTI-së në bazë të përgjegjësisë të njoftojë Doganën e Kosovës se trupa në fjalë nuk ka autorizim dhe si e tillë certifikatat e saj nuk janë valide.

Sipas burimeve të KosovaPress brenda Doganës së Kosovës, MTI nuk e ka njoftuar Doganën për skadimin e autorizimit të trupës inspektuese KPU Inspekt. Për këtë çështje, zyrtarët e MTI-së përmes përgjigjeve elektronike kanë pranuar se kësaj trupe i ka kaluar autorizimi, por që në përgjigje nuk kanë treguar pse lejohet të ushtroi veprimtarinë.

“KPU Inspekt është një trup për verifikimin e konformiteteve, e cila ka qenë e autorizuar nga MTI që të ushtroj veprimtarinë e saj deri më 19 dhjetor 2015. KPU Inspekt ka parashtruar kërkesën e saj për vazhdimin e Autorizimit, brenda afatit të caktuar ligjor. Komisioni për vlerësimin e kushteve për dhënien e propozimit për Autorizim te Trupave për Vlerësim të Konformitetit për cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës (i cili është formuar nga ish-ministrat e MTI-së në mandatin e kaluar qeverisës, fillimisht më datën 28.06.2012, dhe i ndryshuar më datat 06.05.2014 dhe 06.11.2014) e ka shqyrtuar dokumentacionin e aplikuesit për vazhdim të autorizimit dhe ka vlerësuar se operatori ekonomik nuk kishte sjellë dokumentacionin e nevojshëm bazuar në U.A.16/2011 për mënyrën e autorizimit të Trupave për Vlerësim të Konformitetit, si dhe U.A. nr.07/2012 për Cilësinë e Karburanteve të Lëngëta të Naftës”, thuhet në përgjigjen elektronike të MTI-së.

Po ashtu, sipas përgjigjeve të MTI-së, komisioni ka rekomanduar që KPU Inspekt t’i vazhdohet autorizimi vetëm deri më datën 31.12.2015 pasi që gradacioni bankar i dorëzuar nga aplikuesi ka pasur vlefshmëri deri në këtë datë.

”Bazuar në U.A. 07/2012 për Cilësinë e Karburanteve të Lëngëta të Naftës, kohëzgjatja e Autorizimit nuk mund të jetë më e shkurtër se një vit, prandaj Ministrja e MTI-së nuk ka mundur të veprojë në bazë të rekomandimit të Komisionit. Rasti i aplikimit të këtij operatori për vazhdim të autorizimit është në shqyrtim dhe MTI do të veprojë në pajtim me ligjet në fuqi”, thuhet në përgjigjen e MTI-së.

Lirije Karaxha-Pula, përfaqësuese nga KPU Inspekt, i ka ikur pyetjes se pse kompania që përfaqëson ajo, vazhdon të punojë pa autorizim. Ajo ka insistuar që të tregoi se i kanë dorëzuar të gjitha dokumentet të cilat i ka kërkuar komisioni, raporton kosovapress.

Ndryshe, sektori i derivateve të naftës mbetet vrimë e zezë në vend. Kjo pasi ka shumë trupa inspektuese si dhe të konforimitetit të cilat bëjnë kontrollin e origjinës së mallit, vërtetësisë dhe cilësisë, por që cilësia vazhdon të jetë e pandryshuar dhe pa rezultate pozitive.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/mti-lejon-kompanine-e-paautorizuar-te-verifikoje-naften/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala