MSA miratohet më 30 prill

Javën e ardhshme pritet të miratohet Marrëveshja për Stabilizim Asociim mes Kosovës dhe Bashkimit Europian dhe pastaj t’u dërgohet shteteve anëtare të BE-së për diskutim. Në këtë mënyrë, mundësohet që MSA-ja të nënshkruhet para verës së këtij viti.
Kështu ka bërë të ditur përfaqësuesi i Bashkimi Europian në Kosovë, Samuel Zhbogar, për të cilin, një marrëveshje e tillë është me një rëndësi shumë të madhe për sigurimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe BE-së.
E për eurodeputeten Ulrike Lunachek, pas nënshkrimit të MSA-së, Kosovën nuk e ndalon asgjë që të aplikojë për statusin kandidat për anëtarësim në BE.
“Perspektiva Europiane, Ecje nëpër mjegull”, ishte paneli i radhës i Forumit 2015, projekt avokues i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur, që u mbajt sot, në të cilin u diskutua për aspektet e kësaj perspektive. E në këtë diskutim, u shtrua pyetja se çfarë do të ndodhë pas nënshkrimit të MSA-së, nëse Kosova do të mund të aplikojë për statusin e shtetit anëtar të BE-së, ani pse ajo ende nuk është njohur nga pesë shtetet anëtare të familjes evropiane.
Samuel Zhbogar tha se janë të përkushtuar për integrimin e Ballkanit në BE. Përfshirë këtu Kosovën, që sipas tij, është në interesin e brendshëm të Bashkimit Europian, që Kosova të vazhdojë të ecë drejt BE-së.