MSA-ja, mundësi për integrimin ekonomik të Kosovës

Autori:Avdyl Pajaziti

Kosova pritet të nënshkruajë javën e ardhshme Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit (MSA) me Bashkimin Evropian. Kjo marrëveshje po vlerësohet si një hap mjaft i rëndësishëm për vendin.

Në aspektin ekonomik, ekspertë të çështjeve ekonomike dhe përfaqësues të biznesit në vend, thonë se nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit do të jetë një mundësi, e cila do të hapë perspektivë për ekonominë dhe biznesin vendor.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë tregon për përfitimet që do t’i ketë vendi nga nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje.

“Përftimet nga një marrëveshje e tillë, do të jenë të shumta. Në rend të parë po hapet një perspektivë drejt integrimit ekonomik evropian. Në rend të dytë është një mundësi për komunitetin e biznesit vendor që të jetë pjesë e këtyre proceseve”.

“Dhe, në rend të tretë, një momentum ku produktet kualitative të Evropës do të jenë më lehtë të plasuara në tregun e Kosovës dhe anasjelltas edhe produktet vendore do të jenë më lehtë të plasuara në tregun evropian”, thotë Gërxhaliu.

Për shtetet, të cilat eksportojnë produktet e tyre në Bashkimin Evropian, MSA-ja ka qenë mjaft e rëndësishme, pasi që si e tillë kjo marrëveshje iu ka mundësuar kompanive vendore qasje në tregun e BE-së me kushte shumë të mira.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Naim Gashi, konsideron se Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit e bën më të hapur tregtinë ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

“MSA-ja nënkupton që nga 1 janari i vitit 2016, kur pritet të hyjë në fuqi, atëherë një pjese të produkteve që nuk prodhohen në Kosovë, do t’iu hiqet taksa doganore dhe në 10 vjetët e ardhshëm taksa doganore për produktet e BE-së që futen në tregun e Kosovës do të hiqet dalë ngadalë”, tregon Gashi.

Bashkimi Evropian, nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, thekson Gashi, do të investojë në rritjen e kapaciteteve prodhuese vendore, në rritjen e kapaciteteve institucionale, në mënyrë që prodhimet e Kosovës të jenë fillimisht konkurrent me vendet e rajonit, pastaj me vendet e BE-së.

“Efektet në ekonominë e Kosovës në 10 vjetët e ardhshëm pritet të jenë rreth 60 milionë euro më pak të hyra në Doganat e Kosovës, por njëkohësisht BE-ja, përmes instrumenteve të para-anëtarësimit, do të bëjë investime në ekonominë e Kosovës, në rritjen e kapaciteteve konkurruese të saj me një vlerë prej 650 milionë eurosh për të rritur kapacitetet konkurruese të Kosovës në raport me vendet e Bashkimit Evropian”, shpjegon Gashi.

Përveç tjerash, hyrja në fuqi e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, vlerësohet se është sinjali më i mirë që do t’u dërgonte investitorëve të jashtëm se Kosova është një ekonomi, e cila i plotëson kriteret bazike evropiane sa i përket funksionimit të ekonomisë së tregut.

Nënshkrimi i marrëveshjes së Stabilzim Asocimit që shënon edhe vendosjen e parë të marrëdhënieve kontraktuale të Kosovës me Bashkimin Evropian, do t‘i japë fund një procesi, negociatat për të cilin filluan në tetor të vitit 2013 dhe ato u siguruan pas angazhimit të Kosovës në bisedimet me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/msa-ja-mundesi-per-integrimin-ekonomik-te-kosoves/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala