MSA-ja kërkon reforma në mbi 40 fusha

Autori:Gazeta Fjala

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar sot Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe Komunitetit Evropian të Energjisë Atomike.

Kryeministri Isa Mustafa e quajti Marrëveshjen tepër e rëndësishme për Kosovën.

“Konsiderojmë se kjo Marrëveshje është shprehje e vullnetit të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës pa dallim feje e etnie, sepse është me interes që të gjithë të përfitojnë nga integrimet evropiane, nga zhvillimi i demokracisë, nga forcimi i shtetit ligjor, nga forcimi i të drejtave të të gjithë qytetarëve, edhe atyre që janë shumicë, edhe atyre që nuk janë shumicë, të drejtave fetare të tyre.

Po ashtu, përfitimet që do t’i kemi në aspektin e zhvillimit ekonomik, tërheqjen e investimeve të huaja, të marrëdhënieve tregtare me vendet e BE-së, sepse na hapet një treg prej më shumë se 500 milionë banorësh, që do të thotë se lypset që ekonomia jonë të jetë e gatshme të zhvillohet dhe të aplikojë në këtë treg”, tha kryeministri Mustafa.

Kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, i falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuuar me punën e tyre në përgatitjet e deritanishme, dhe punët që janë bërë deri në nënshkrimin e Marrëveshjes, përfshirë këtu edhe ambasadoren e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, e cila në kohën sa ishte ministre ka punuar gjatë dhe me përkushtim të madh, pastaj ministrin Çollaku, si dhe pushtetin lokal i cili ka bërë punën e vet, dhe të gjitha institucionet e tjera të Kosovës.

“Kjo është një simbiozë e punës së përbashkët që e kemi arritur”, u shpreh kryeministri Mustafa, duke njoftuar kabinetin qeveritar se një ditë më parë, bashkë me zëvendëskryeministrin Thaçi, ministrin e Integrimeve dhe me kryetarin e Kuvendit, janë pajtuar që të hënën të mbahet seancë e Kuvendit.

“Ne sot i propozojmë Kuvendit që të hënën ta trajtojë këtë Marrëveshje që do të jetë pikë e vetme e seancës së Kuvendit, në mënyrë që të procedojmë më shpejt dhe të krijojmë kushte që Marrëveshja sa më shpejtë të hyjë në fuqi dhe t’i realizojmë objektiva tona”, tha kryeministri Mustafa./Koha.net

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/msa-ja-kerkon-reforma-ne-mbi-40-fusha/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala