MPJ: Nuk kemi bërë asnjëherë pagesa “cash” të pagave për punëtorë

Zyra për Komunikim me Publikun e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës ka demantuar artikullin e “Thaçi u jep rroga ‘cash’ punëtorëve”.
‘Për hir të informimit të saktë dhe korrekt, Zyra për Komunikim me Publikun e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës demanton artikullin e sotëm të së përditshmes ‘Zëri’, të titulluar ‘Thaçi u jep rroga ‘cash’ punëtorëve’, të cilin e kanë shpërndarë edhe mediet e tjera elektronike’, thuhet në reagim.
“Pas tendencës së hapur dhe një vargu të pavërtetash të botuara në këtë të përditshme, të cilat kulmuan me spekulimin e sotëm, MPJ sqaron opinionin publik se asnjëherë nuk janë bërë pagesa të pagave me para në dorë (“cash”), siç pretendohet në këtë artikull”, thuhet në njotim.
Gjithashtu, sipas Divizionit për Informim Publik në MPJ nuk qëndrojnë as raportimet e mëhershme të kësaj të përditshme kinse MPJ ka bërë gradime të jashtëligjshme, sepse të gjitha gradimet që janë bërë në MPJ janë plotësisht në pajtueshmëri me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës dhe aktet nënligjore.
MPJ apelon tek mjetet e informimit që të mos bien pre e raportimeve tendencioze dhe fushatave të medieve të caktuara me qëllime politike.