MPJ ndryshon faqen zyrtare, heq listën e shteteve që e kanë njohur Kosovën

Autori:Gazeta Fjala

Ministria e Punëve të Jashtme, e cila drejtohet nga Hashim Thaçi, më në fund ka ndryshuar dukjen e faqes zyrtare, për të cilën patën thënë se do të bëhet qysh në shkurt të vitit të kaluar.

Por premtimi i zyrtarëve të MPJ-së se me ndryshimet në faqen zyrtare do të përditësohet edhe lista e shteteve që e kanë njohur Kosovën – nuk është mbajtur. Ata kanë bërë të kundërtën, duke larguar krejt nga faqja e tyre listën me shtetet që kanë njohur Kosovën.

Deri më tani, në faqen zyrtare të MPJ-së kanë qenë të futura vetëm 96 që e kanë njohur Kosovën. Aty u patën futur shtete për të cilat nuk ka nota verbale, sikurse Nigeria e Uganda.

Këto dy “njohje”, zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli i kishte prezantuar në përvjetorin e katërt të pavarësisë, më 17 shkurt 2012. Por shkresat që kishte marrë ish-ministri Enver Hoxhaj nga dy presidentët e shteteve afrikane tregonin se nuk e kanë njohur Kosovën, raporton Koha.net.

Ndërkohë shtetet të cilat kanë dërguar notat verbale si Pakistani dhe Guajana nuk ishin futur fare në faqen zyrtare.

Por në faqen e përditësuar flitet vetëm për njohjet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës dhe synimet e MPJ-së që t’i shtojë ato.

“Republika e Kosovës ka siguruar 111 njohje, në këtë mënyrë ka arritur qëllimin për të pasur më shumë se 100 vende që e njohin Kosovën. Përkushtimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme për të përfunduar procesin e njohjeve ndërkombëtare duhet të përqendrohet në një komunikim diplomatik me shtetet e mëdha që nuk e kanë njohur ende Kosovën, si brenda Evropës po ashtu edhe përtej saj”, shkruan në ueb faqe, ku mungojnë emrat e këtyre shteteve.

Pas Skënder Hysenit e Enver Hoxhajt, Thaçi është ministri i tretë që merret me punët e jashtme të Kosovës. Por, që prej marrjes së këtij posti para gati një viti, Kosovës i kanë ardhur vetëm dy njohje, nga Antigua&Barbuda si dhe Niue (shtet jo anëtar i OKB-së).

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/mpj-ndryshon-faqen-zyrtare-heq-listen-e-shteteve-qe-e-kane-njohur-kosoven/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala