MPJ: Gaboi prokurimi

Autori:Zekirja Shabani

Zyra për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Punëve të Jashtme, një ditë pas raportimit të Gazetës Fjala  për furnizimin e planifikuar me karburante të ministrisë së udhëhequr nga Hashim Thaçi, ka pranuar se do të blejnë 54 mijë litra naftë.

Por, ata kanë sqaruar se ishte bërë një lëshim në njoftimin e publikuar në KRPP për tenderin e MPJ’së “Furnizim me karburante për nevojat e MPJ-së” pasi kjo sasi nuk është paraparë të shpenzohet për një vit, por për tri vite.

 

Lexojeni të plotë sqarimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme:

MPJ demanton raportimet, sqaron nevojat e saj për furnizim me karburante

Për hir të korrektësisë dhe informimit të drejtë, Zyra për Komunikim me Publikun në Ministrinë e Punëve të Jashtme sqaron opinionin publik lidhur me lëshimet në njoftimin e publikuar në KRPP për tenderin e MPJ’së “Furnizim me karburante për nevojat e MPJ-së”, që ka rezultuar me raportime të pasakta në mediat elektronike, të cilat nuk kanë kërkuar sqarime edhe nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Sasitë e planifikuara në tenderin  “Furnizim me karburante për nevojat e MPJ-së”, me numër të referencës MPJ/216/15/006/121, janë për kohëzgjatje për 36 muaj dhe jo për 12 muaj, siç është raportuar. Përcaktimi i sasisë së planifikuar për 36 muaj ishte kërkesë e KRPP-së, sepse po aq është edhe kontrata valide, në përputhje me Ligjin e Prokurimit Publik 04/L-042. Me Ligjin mbi Prokurimin Publik, sasitë tek kontratat kornizë janë sasi indikative, ndërsa Autoriteti Kontraktues bën porosinë vetëm sipas nevojës që ka dhe sipas mundësive buxhetore, prandaj edhe pse kjo sasi është e planifikuar si nevojë për 36 muaj, nuk do të thotë se Ministria e Punëve të Jashtme obligohet ta shfrytëzojë apo ta blejë në tërësi.

Për ta pasur edhe më të qartë, nëse bëjmë një kalkulim të thjeshtë të sasisë së kërkuar si nevojë e Ministrisë së Punëve të Jashtme për 36 muaj, sasisë prej 54000 litrave naftë dhe 1800 litrave benzinë, që gjithsej bëjnë 55800 litra dhe e përpjesëtojmë me 36 muaj, atëherë kërkesa e MPJ’së është vetëm për 1550 litra në muaj. Ndërsa, nëse këtë sasi mujore e përpjesëtojmë me 17 vetura, atëherë sasia e planifikuar për një veturë është 91.18 litra në muaj. E nëse këtë e thjeshtojmë edhe më shumë dhe e përpjesëtojmë edhe me ditë pune, 91.18 litra për 22 ditë pune, atëherë nevoja ditore e planifikuar për një veturë është vetëm 4.15 litra.

E njëjta vlen edhe për sasinë e ujit të kërkuar për xhama. Pra, nëse 3600 litra ujë i përpjesëtojmë për 36 muaj, atëherë del se nevoja e planifikuar është 100 litra në muaj. Kjo sasi, pra 100 litra në përpjesëtim me 17 vetura është 5.89 litra në muaj për një veturë. Kurse, nëse e përpjesëtojmë në ditë pune, 5.89 litra në përpjesëtim me 22 ditë pune, atëherë si nevojë ditore e planifikuar është vetëm 0.27 litra ujë për xhama për një veturë.

Gjithashtu, në kuadër të MPJ-së është edhe Protokolli i Shtetit, i cili mbulon të gjitha vizitat e zyrtarëve të lartë të huaj që vizitojnë Kosovën, prandaj përpos që është sasi indikative, e cila mund edhe të mos shpenzohet dhe që nuk obligohemi ta blejmë në tërësi, edhe si planifikim për 36 muaj është në kufirin më të ulët të shpenzimeve për veturat zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/mpj-gaboi-prokurimi/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala