MPB e përkushtuar në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë

Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, tha të mërkurën se institucionet e rendit e ligjit janë të obliguara që të bëjnë të gjitha veprimet e mundshme që korrupsionin ta vënë nën kontroll dhe ta minimizojnë deri në shkallën më të ulët.
Ministri Hyseni këto komente i bëri në konferencën rajonale për luftimin e korrupsionit, për ngritjen e kapaciteteve të institucioneve të Republikës së Kosovës në luftimin e korrupsionit në nivelin e lartë, e organizuar nga misioni i OSBE-së dhe që është mbështetur financiarisht nga qeveria federale e Gjermanisë.
“Korrupsioni nuk mund të përkufizohet ekskluzivisht vetëm si një problem i një shteti, por është një problem i përgjithshëm. Prandaj, bashkëpunimi midis vendeve të ndryshme, e sidomos bashkëpunimi midis vendeve të rajonit është krucial për të luftuar në mënyrë efikase korrupsioni në nivele të larta”, tha ministri Hyseni.
Gjithashtu, ai tha se është shumë i rëndësishëm bashkëpunimi në mes të njësive të inteligjencës, policisë, prokurorisë, për të parandaluar pastrimin e parasë që është rrjedhim direkt i korrupsionit në shkallë të lartë.
Po aq e rëndësishme është media dhe shoqëria civile në vetëdijesimin e qytetarëve për shmangien e metodave korruptive në jetën e përditshme. /Telegrafi/