“Motivet tona” të Rona Nishliutnë Parkun e Edi Ramës

Autori:Avdyl Pajaziti

Parku në pjesën e pasme të Kryeministrisë u shndërrua mbrëmjen e së premtes, për të parën herë, në një skenë të madhe të këngës. Kryeministria mikpriti një kërkesë të ardhur nga këngëtarja Rona Nishliu për të prezantuar, albumin e saj të ri dhe kjo hapësirë u vu në dispozicion të publikut.

Nishliu dhe kuarteti i saj pati një performancë mbresëlënëse për qindra të rinj dhe admirues të saj, të këngëve nga albumi i ri “Motivet tona”, një risjellje e këngëve të vjetra shqiptare të përshtatura për ritmin xhaz. Njëri prej tyre ishte edhe Kryeministri Edi Rama dhe bashkëshortja Linda.

Prej mëse mbi një vit, ambiente të ndryshme të Kryeministrisë dhe parku i saj, me ide të Kryeministrit Rama janë kthyer edhe në hapësira në dispozicion të publikut. Ato janë bërë shpesh vendi i ekspozitave dhe promovimeve.

“Sonte unë jam në rolin e kryekamerierit. Ndoshta ndonjërit prej jush i kujtohet që patëm një ide vjet për të organizuar këtu, në këtë hapësirë të re, të gjelbër dhe publike, finalen e kampionatit botëror, nuk na la shiu. Pastaj për këtë rikthim në këtë fushë u bë shkak një finaliste e kampionatit Europian, Rona Nishliu, të cilën e përshëndes dhe i uroj mirëseardhjen. U bë shkak sepse më bëri një kërkesë, që albumin e saj të ri kishte dëshirë ta prezantonte në Tiranë dhe mundësisht ta prezantonte në këtë hapësirë. Për mua ishte privilegj, për ne të gjithë është privilegj. Është momenti tani për të thënë se kjo hapësirë u çel për publikun dhe do të vazhdojë të jetë në dispozicion të publikut, në dispozicion të artistëve të tifozëve, në dispozicion të çdokujt që do të ketë një ide për ta marrë kuptohet pa qera”, u shpreh Kryeministri në përshëndetjen e tij si mikpritës i këtij eventi.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/motivet-tona-te-rona-nishliutne-parkun-e-edi-rames/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala