Mosmiratimi i Speciales gjunjëzoi Mustafën e Thaçin

Autori:Avdyl Pajaziti

Qeveria e Kosovës, ka dështuar që t’i bindë deputetët e Kuvendit që ta votojnë krijimin e Gjykatës Speciale.
Pas një diskutimi të gjatë të deputetëve në seancën e sotme për amendamentin kushtetues, të propozuar nga qeveria e Republikës së Kosovës, i cili do t’i hapte rrugë krijimit të Gjykatës Speciale, në fund të ditës nuk u arritën 81 votat e mjaftueshme, apo 2/3 e votave të deputetëve që të miratohet.
Mosmiratimin e amendamentit Kushtetues, analistët e quajnë si dështim të koalicionit aktual qeveritar, për mospërmbushjen e një obligimi ndërkombëtarë.
Analisti Muharrem Nitaj tha për Kallxo.com se Mustafa dhe Thaçi kanë dështuar ta përmbushin një obligim ndërkombëtar dhe kanë dështuar t’i bindin deputetet e partive të tyre që ta votojnë Gjykatën.
“Kjo, vështirë të kalojë pa ndëshkim, por nuk mund të them se ky ndëshkim mund të kuptohet si rënie e qeverisë aktuale”, tha Nitaj.
Sipas tij, njëra prej arsyeve kryesore pse ndërkombëtaret e kanë mbështetur koalicionin aktual qeveritar, ka qenë votimi i Gjykatës Speciale.
Pasi që nuk u arrit miratimi i këtij amendamenti, Nitaj tha, se kjo qeveri mund të mos e ketë më mbështeten e nevojshme ndërkombëtare, e cila do të mund të çonte edhe në rënien e Qeverisë.
“Është shpresuar se një koalicion i madh ndërmjet PDK dhe LDK do të ishte garanci i suksesit për Gjykatën.

Meqenëse kjo doli të mos jetë e saktë, atëherë mund të ndodhë që kjo qeveri të mos e ketë më mbështetjen, aq të nevojshme, ndërkombëtare dhe ndoshta kjo mund te çojë edhe në rënien e saj”, u shpreh Nitaj.
Por ,analisti Artan Muhaxhiri vlerëson se Hashim Thaçi ka marrë një goditje nga deputetët e vet.
“Është e qartë se dy partitë apo PDK-ja më saktësisht dhe Hashim Thaçi, e kanë marrë një goditje sot nga deputetët e vet, të cilët nuk iu kanë bindë një projekti të cilin Thaçi, Veseli, udhëheqësia e PDK-së, e kanë përkrahur fuqishëm dhe në fakt ky është një problem i madh për zotin Thaçi”, ka pohuar Muhaxhiri për Kallxo.com.
Ai tha, se kjo mund të ndikojë negativisht pasi që kryeministri Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri Hashim Thaçi mund të marrin nisma në raport me partnerët ndërkombëtarë.
“Këta dy liderët e koalicionit kanë qenë një lloj garancie se ky amendament do të kalojë dhe tash duhet të japin shpjegime edhe para partnerëve tanë ndërkombëtarë, më konkretisht Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe BE-së, se pse ka ndodh kjo dhe cilat kanë qenë pasojat negative për Kosovën pas votimit të sotëm”, u shpreh ai.
Sipas Muhaxhirit, qëndrueshmëria e qeverisë nuk është drejtpërdrejt e lidhur me Gjykatën Speciale. Mirëpo, sipas tij kjo është një goditje që partneri më i madh i koalicionit PDK-ja e ka marrë nga deputetët e vet.
Ndryshe, deputetët votuan me 75 vota për, 7 kundër dhe 2 abstenime.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/mosmiratimi-i-speciales-gjunjezoi-mustafen-e-thacin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala