Mos rrini vetëm!

Autori:Avdyl Pajaziti

Këto ditë, falë telefonave dhe kompjuterëve, është më e lehtë nga sa mund të mendohet për të shpenzuar një ditë pa folur me askënd tjetër veç Siri-t ose shpërndarësit të picave. Por ndërveprimi me të tjerët është diçka për të cilën të gjithë ne duhet të jemi më të ndërgjegjshëm.

Në fakt, një studim i ri ka zbuluar se izolimi dhe vetmia kërcënojnë jetëgjatësinë tonë po aq sa obeziteti. Kërkuesit nga Universiteti Brigham Young në Utah analizuan rreth 35 vjet studime mbi vetminë, izolimin social dhe jetesën vetëm dhe mënyrën sesi ato ndikonin në jetëgjatësi. Zbulimet ishin befasuese.

“Duhet të fillojmë të flasim për t’i marrë marrëdhëniet tona sociale më seriozisht”, tha autorja e studimit, Julianne Holt-Lunstad, në një deklaratë. “Pasojat e kësaj mund të krahasohen me obezitetin, diçka që shëndeti publik e merr shumë seriozisht”.

Të dhënat nga rreth 3 milionë pjesëmarrës zbuluan se, mesatarisht, vetmia, izolimi dhe jetesa vetëm mund të rrisin rrezikun e vdekjes së parakohshme me 26, 29 dhe 32 për qind respektivisht.

Ne dimë se mungesa e kontakteve shoqërore, veçanërisht nëse nuk është një zgjedhje, mund të jetë një përvojë e vështirë emocionale dhe psikologjike. Por kërkimi ka treguar se vetmia paska efekte të tjera po aq befasuese.

Një studim i Universitetit të Çikagos theksoi se vetmia mund të rrisë nivelet e hormonit të stresit, kortizol, që mund të çojë në një rrezik në rritje të atakut të zemrës dhe infarktit.

Për më tepër, jeta në vetmi është po aq e fuqishme për nga pasojat sa të jetosh në varfëri.

Kërkuesit e Brigham Young thonë se rezultatet nuk duhet të kalohen pa u marrë seriozisht, pasi gjithnjë e më shumë po rritet numri i njerëzve që jetojnë vetëm. “Me vetminë në rritje, ne do të përjetojmë me shumë gjasa një epidemi vetmie në të ardhmen”, – thanë ata.

Lidhja midis jetëgjatësisë më të vogël dhe mungesës së lidhjeve sociale ndodh pavarësisht seksit apo vendndodhjes gjeografike. Kërkuesit zbuluan gjithsesi se njerëzit nën moshën 65-vjeçare i vuanin edhe më shumë pasojat e vetmisë.

Nuk kishte rëndësi nëse njerëzit nuk e donin vetë shoqërimin me të tjerët apo nuk kishin se kujt t’i drejtoheshin, pasojat ishin pa dallim.

Por lajmi i mirë është se ndërsa vetmia mund të dëmtojë jetëgjatësinë tuaj, puna për të rritur shoqërimin me të tjerët, është në fakt më e mirë për shëndetin tuaj.

Si të mundni vetminë?

Kuptoni se vetmia është ndjenjë, jo fakt

Mos e mendoni vetminë si një fakt që nuk mund ta mposhtni, por më tepër si një ndjesi brenda jush me të cilën mund të merreni në çdo kohë dhe ta hiqni qafe.

Kërkoni shoqërinë e të tjerëve

Disa njerëz mund të mendojnë se ju pëlqen të jeni të vetmuar dhe se ky është stili juaj i jetesës, por nëse ju i tregoni të vërtetën dhe kërkoni miqësinë e tyre, ata nuk do të ngurrojnë. Të gjithë e duan sinqeritetin.

Shmangni veprimet që ju shkaktojnë vetminë

Ndoshta pa dashur jeni vetë ju ata që po e shkaktoni vetminë tuaj. Kontrolloni veprimet tuaja të përditshme dhe shmangni ato që ju izolojnë nga të tjerët.

Ndihmoni të tjerët

Nuk ka mënyrë më të mirë për t’ju gjendur pranë të tjerëve sesa në çastin kur kanë nevojë. Gjenduni te të tjerët që ata t’ju gjenden juve. Ndihma është gjithnjë një fillim i mbarë.

Gjeni të tjerë si ju

Nëse arrini të gjeni persona që kanë të njëjtat preferenca si tuajat, do ta keni shumë më të thjeshtë të mundni vetminë dhe të jeni më të lumtur me ata që mendojnë si ju.

Jini të sjellshëm

Silluni mirë me të gjithë që të tërhiqni njerëz drejt jush. Nëse keni një sjellje të ashpër, atëherë të tjerët do të ngurrojnë t’ju afrohen.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/mos-rrini-vetem/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala