Mos iu bashkoni terroristëve

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryetari i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi, ka deklaruar se nuk ia vlen që të rinjtë tanë të mashtrohen dhe të gjinden në anën e kundërt të ligjit, e aq më tepër me vepra që klasifikohen si terroriste. Ai ka thënë se në gjykatën që drejton, privilegjet dhe politika përfundojnë të dera.

Ai në një intervistë për KosovaPress ka thënë se aksioni i cili është bërë vitin e kaluar dhe është nën autoritetin e kësaj gjykate ka ndikuar mjaft pozitivisht në zvogëlimin e numrit dhe beson se është arritur një efekt pozitiv në këto veprime të cilat janë ndërmarrë.

Ibrahimi thotë se ka marrë detyrën e kryetarit të kësaj gjykate në një kohë shumë të vështirë, atëherë kur për regjionin e Prishtinës ka qenë një opinion i tillë por, siç thotë ai tani është forcuar besimi në drejtësi sa i përket kësaj gjykate pasi janë angazhuar në atë drejtim që para qytetarëve të janë shërbëtor të tyre dhe asgjë më shumë.

Ibrahimi: Secili individ në këtë gjykatë është i barabartë

“Ajo çka është me rëndësi dhe parimin që kam për të gjithë është se në këtë gjykatë secili individ pavarësisht pozicionit që ka absolutisht ka trajtim të barabartë, këtu privilegje nuk ka askush dhe as që do të ketë kurrë, gjithçka do të shkon në bazë të normave juridike që janë në vend, privilegjet përfundojnë në derë të gjykatës, nuk ka person që mundet me thënë unë tash kam qasje në gjykatë mund të bëjë çka dua, thjesht ne shkojmë nga ajo që të zbatojmë ligjin, asgjë më pas as më shumë, respekt për të gjithë”, tha ai.

Ai shprehet se kujdesi i tyre është që t’i trajtojnë palët me kohë por fatkeqësisht sipas tij kanë gjetur një numër aq të madh të lëndëve, pastaj mungesa e stafit dhe lokaleve, kanë ndikuar që të mos kenë mundësi të ecin më shpejt në këtë drejtim, por Ibrahimi thotë se kanë arritur që deri një shkallë ta kthejnë besimin në gjyqësi sa i përket regjionit të Prishtinës dhe pret që kjo gjendje të shkojë drejt përmirësimit.

Ibrahimi ka apeluar që të iu krijohet mundësia të kenë mekanizma institucional ligjor në nivel të departamenteve përkatëse në mënyrë që të merren edhe me çështjet natyrës së rëndë, pasi nuk hezitojnë të merren me asnjë rast dhe për ta në parim rast të rëndë apo të lehtë nuk guxon të ketë, ku të gjitha rastet trajtohen njëjtë.

Ibrahimi: Pres sfida të mëdha për regjionin e Prishtinës

“Unë pres sfida shumë të mëdha, sidomos sfida do të jenë për Prishtinën sepse këtu do të shkarkohet edhe i tërë ai vëllimi i punëve që aktualisht i kanë gjyqtarët ndërkombëtar të EULEX-it, dhe për këtë jam shumë i vetëdijshëm dhe për ata po mundohemi të bëjmë një përgatitje të duhur që kur të merremi me këto lëndë të jemi të aftë që t’i procedojmë por në parim unë them se gjyqtarët janë të përgatitur të merren me secilin rast që është”, theksoi ai.

Ibrahimi ka nënvizuar se përderisa do të jetë kryetar i kësaj gjykate, politika brenda kësaj ndërtese nuk ka vend, dhe kurrë asnjë rast të vetën nuk ka pasur në këtë gjykatë që ka tentuar dikush të ketë ndikime politike.

Ai shton se synimi kryesor i tij është që të ndihmojë në krijimin e një stafi të gjyqtarëve i cili do të jetë i pagatitur tani e 10 vjetet e ardhshme që të ballafaqohet me të gjitha sfidat që do t’i ketë regjioni i Prishtinës, dhe në këtë drejtim thotë se po bënë përpjekje maksimale që të marr një staf të ri të kuadrove që t’i jap përkrahje dhe t’ua zgjas dorën në mënyrë që të jenë pjesë e sistemit të drejtësisë, dhe këta njerëz të aftësohen dhe kësisoj të rritet edhe numri i gjyqtarëve. Këtu ai thotë se do luftojë që gjyqësori dhe gjyqtarët të kenë një pozitë edhe më të mirë se që është sot, e cila as tani nuk është pozitë e keqe, por që detyrimisht duhet të përmirësohet.

Ai ka folur edhe për bashkëpunim që kanë me EULEX-in, i cili ka thënë se është i mirë dhe i ndërsjellë, pasi sa herë që kërkojnë anëtar të trupit gjykues i caktojnë. Sipas tij, tani EULEX-i lëndë nuk merr me përjashtim kur këshilli gjyqësor vendos, pasi siç thotë kanë një normë juridike shumë të çuditshme që ka paraparë se këshilli gjyqësor vendos se cilat lëndë të ia jap EULEX-it dhe ka pasur raste kur kanë marrë por të cilat kanë qenë shumë pak.

Ibrahimi: Ta vazhdojmë misionin e EULEX-it

“ Por normalisht ne presim se një ditë EULEX-i do të shkojë dhe ajo ditë pavarësisht se a do të jetë vitin e ardhshëm apo një vit tjetër për neve është nesër dhe ne po bëjmë përpjekje dhe po mendojmë të jemi të gatshëm që faktikisht ta vazhdojmë atë mision që kanë”, tha ai.

Ibrahimi thotë se tek luftimi dhe trajtimi i veprave të terrorizimit jo vetëm në këtë gjykatë por në secilën gjykatë toleranca është zero, dhe në këtë drejtim vazhdojnë ta kenë të njëjtin kontinuitet që këto çështje të procedohen me kohë.

Ibrahimi: Të mos mashtrohen të rinjtë tanë në veprat që klasifikohen si terroriste

“Porosia ime është, nuk ia vlen që të rinjtë tanë të mashtrohen dhe të gjinden në anën e kundërt të ligjit, e aq më tepër me këto vepra që klasifikohen si terroriste…Normalisht ka pas të arrestuar, ka pas njerëz mjaft që janë liruar më tutje, janë ndryshuar masat sepse nuk është qëllimi as i prokurorisë, as i gjykatave që njerëzit me çdo kusht t’i mbajnë brenda, njerëzit nuk mbahen brenda pse mendojnë ndryshe, apo pse vishen ndryshe pavarësisht se i pëlqen dikujt ose si pëlqen, njerëzit, të pandehurit, mbahen në paraburgim vetëm atëherë kur detyrimisht duhet të mbahen, vetëm atëherë kur vërtet ekzistojnë kushtet që janë paraparë me ligj”, ka thënë ai.

Ai ka sqaruar për opinionin se Gjykata Themelore e Prishtinës është një institucion ku secili individ ka qasje dhe mund të llogaris se ka për të gjetur drejtësi nëse veç i duhet.

Ibrahimi: Në këtë gjykatë nuk bëhet pazar me drejtësinë

“ Dhe secili individ duhet me llogarit se në këtë gjykatë nuk bëhet pazar me drejtësinë , në këtë gjykatë secili individ vjen me të drejtat e veta që ka për ti realizuar ato dhe nuk ka nevojë asgjë të shpenzohet përveç taksave që paguhen, unë e them këtë për arsye se kam frikën se shumë qytetar mendojnë se për tu adresuar në gjykatë për një çështje kumedit se çka duhet të ndodh, asgjë ne jemi në shërbim të qytetarëve, në respektim të plotë të normave juridike të këtij vendi”, është shprehur Ibrahimi.

Ai ka shtuar se besimi i qytetarëve në drejtësi është diçka që lakohet shumë dhe për këtë ka opinione të ndryshme, pasi vet mënyra e qasjes në sistemin e drejtësisë që nga pas lufta e sidomos deri në vitin 2010 ka qenë asisoj që janë bërë eksperimente të ndryshme dhe nuk i është dhënë një kujdes meritor që do duhej ta kishte në nivel të shtetit.

Ibrahimi thotë se shpesh janë bërë eksperimente që prej fillimit të emërimit të gjyqtarëve, mungesës së numrit të tyre dhe përkrahja nuk ka qenë ajo që do duhej të ishte në drejtësi.

Prandaj, sipas tij kjo në njërën anë dhe veprimet e disa prej gjyqtarëve dhe prokurorëve vite më parë që nuk kanë qenë në funksion dhe interes të drejtësisë në vend, ka ndikuar në rënien e imazhit të drejtësisë dhe fatkeqësisht të krijohet një percepsion në opinion se drejtësi në Kosovë nuk ka, apo ka shumë pak.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/mos-iu-bashkoni-terroristeve/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala