Mos harroni se Kosova është e varfër, me korrupsion e krim të organizuar

Autori:Avdyl Pajaziti

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ia ka tërhequr vërejtjen klasës politike për zhvillimet në vend, duke thënë se lufta kundër varfërisë, korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të jenë prioritete të qeverisjes. Ajo po ashtu ka thënë se krijimi i Gjykatës Speciale nga institucionet vendore nuk do të cenojë rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

“Do të cenohej në rast se do të lejohej që një tjetër instancë ta krijonte Gjykatën Speciale, duke injoruar institucionet e vendit dhe duke funksionuar jashtë sistemit juridik të vendit”, është shprehur Jahjaga në një intervistë për “Epokën e Re”, duke shtuar se Specialja do të merret me raste individuale, assesi me përpjekjet kolektive për liri e pavarësi dhe pastërtinë e luftës dhe UÇK-së.

Ajo ka thënë se nuk duhet harruar që Kosova është ende një vend i varfër, i pazhvilluar ekonomikisht, i goditur nga fenomenet e korrupsionit dhe të krimit të organizuar.

Sipas Jahjagës, institucionet e vendit janë duke bërë përpjkeje të integrimit të të gjitha komuniteteve në shoqëri, në veçanti të komunitetit serb, që sot jeton në pjesën veriore të vendit.

Duke folur rreth migrimit të qytetarëve, ajo ka thënë se ky fenomen ka ndodhur si pasojë e vonesës së krijimit të institucioneve të reja.

“Fakti se nuk kemi pasur institucione, ka bërë që grupe të caktuara kriminale t’i gjejnë mënyrat e veprimit dhe të përfitojnë mbi kurrizin e qytetarëve tanë, që kanë kërkuar mënyra të ikjes nga vendi i tyre”.

“Unë kam bërë përpjekje të vazhdueshme të jem pranë qytetarëve të vendit pikërisht në periudhën më të rëndë, t’u kërkoj që së bashku ta vazhdojmë rrugën e ndërtimit të shtetit, t’u kërkoj ta kalojmë këtë fazë të rëndë dhe të besojmë së bashku në të ardhmen më të mirë, në një Kosovë të përparuar dhe të zhvilluar”, është shprehur Jahjaga.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/mos-harroni-se-kosova-eshte-e-varfer-me-korrupsion-e-krim-te-organizuar/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala