Mos e vononi Specialen

Institucionet e Kosovës duhet ta caktojnë datën e mbajtjes së seancës parlamentare për ndryshimet e nevojshme kushtetuese – të cilat mundësojnë themelimin e Gjykatës Speciale.
Kështu ka deklaruar Maja Kocijancic, Zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit uvropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.
“Është prerogativë e autoriteteve të Kosovës ta caktojnë seancën e Kuvendit dhe ta themelojnë Gjykatën Speciale. Vendosmëria e Kosovës për ta proceduar këtë çështje nuk duhet të ndikohet nga shtyrje të mëtejme”, ka thënë Kocijancic për Kallxo.com.
Kuvendi i Kosovës, më 29 maj, ka shtyrë seancën në të cilën ishte paraparë të debatohej dhe më pas të votohej Gjykata Speciale, pas kërkesës së PDK’së, të mbështetur edhe nga LDK, me arsyetimin e mungesës së materialeve të nevojshme.
Por, Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e së hënës, sërish nuk e ka vënë në rend dite këtë çështje, për seancën e së enjtes. Kryeparlamentari Kadri Veseli ka thënë se Qeveria s’e ka sjellë Projektligjin për Gjykatën Speciale, prandaj Kryesia s’e ka proceduar për seancë, ndërkohë që opozita pohon se nuk bëhet fjalë për “mungesë materialesh”, por për “mungesë votash”.
Kocijancic, po ashtu, ka rikujtuar BE ka ofruar tërë mbështetjen e nevojshme dhe në kohë të duhur për autoritetet e Kosovës për miratimin e ndryshimeve kushtetuese dhe legjislacionit.