Mogerini: BE-ja mund të shpërbëhet

Bashkimi Evropian mund të shpërbëhet, nëse nuk reagon në mënyrë kolektive ndaj krizës aktuale të refugjatëve me të gjitha instrumentet që ka në dispozicion, ka tërhequr vërejtjen shefja e diplomacisë evropiane, Federika Mogerini, në një intervistë dhënë medieve italiane.
Ajo tërhoqi vërejtjen se nëse evropianët kënaqën vetëm me reagimet kombëtare ndaj kësaj krize, kriza vetëm sa do të thellohet, në rast se nuk përdorën instrumentet ekzistuese në nivel të unionit.
Mogerini qartësoi se pa këto instrumente ekziston rreziku real i shpërbërjes së Bashkimit Evropian, por gjithashtu tha se nëse këto instrumente përdorën, atëherë do të bëhet një kërcim i madh në drejtim të integrimit të suksesshëm të refugjatëve në Evropë.
Siç dihet, Austria dhe Sllovenia të mërkurën kanë paralajmëruar se do të vendosin rrethoja në kufijtë e tyre, me qëllim të frenimit të valës së refugjatëve.
Gazeta austriake, Di Prese, vlerësoi se vendosja eventuale e rrethojës në kufirin e Austrisë me Slloveninë do të nxiste një domino-efekt.
Gazeta shkroi se nëse Vjena realizon këtë paralajmërim, atëherë edhe Sllovenia së shpejti do të merr vendim për ta bërë një gjë të tillë.